Përfundon greva e punëtorëve të aeroportit, sot merret vendimi për hapat e ardhshëm
Ka përfunduar dita e tretë e grevës së punëtorëve të Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në ANP “Adem Jashari”, grevë, e cila nisi që nga ora 08:00 e mëngjesit.
Kryesindikalisti Bashkim Latifi ka thënë se kësaj greve sot i janë përgjigjur qind për qind punëtorët grevistë. Për çka për hapat më tej tha se do të merret një vendim gjatë ditës së sotme nga Kuvendi i sindikatës.
“Pas orës 14:00 ne do ta thërrasim Kuvendin e sindikatës, sepse kuvendi sipas statusit të sindikatës është organi më i lartë që merr vendime. Dhe si kryetar i sindikatës edhe si kryesi, shtabi grevistë është i obliguar t’i përgjigjet kërkesës së kuvendit. Dhe çdo vendim që do ta marrë kuvendi sot ne do i përgjigjemi… në orën 18:00 mblidhet kuvendi, besoj në 19:00 merret ndonjë vendim. Shteret diskutimi dhe votohet unanimisht….besoj por nuk dua të mendoj se do merret ai vendim, sepse këta kanë për të reflektuar dhe kanë me u ulë në tavolinë, ku ne bëjmë thirrje vazhdimisht të diskutojmë për kërkesat tona ligjore. Ndryshe derisa të realizohen kërkesat tona ligjore nuk besoj se do të ndalet”, tha ai.
Latifi ndër të tjera tha se nuk di a ka pasur vonesa apo anulim të fluturimeve, megjithatë tha se punëtorët nuk kanë ofruar shërbime.
Ai e ka quajtur shqetësuese vendimin për nëntë punëtorët për të cilët Latifi insiston se janë “suspenduar”, siç e quajti ai.
“Dje menaxhmenti ka marrë një vendim katastrofal dhe ka suspenduar nëntë punëtor, të cilët për pjesëmarrje në grevë, sipas një raporti që e ka bërë shefi i ndërrimit, menaxhmenti ua ka ndaluar qasjen dje i ka suspenduar, ky është suspendim për neve, ndalimi i qasjes në punë është suspendim, ata po thonë që nuk i kemi suspenduar”, tha mes tjerash Latifi.
Latifi tha se brenda në aeroport janë të angazhuar punëtorë të jashtëm, kontraktorë, që sipas tij janë pjesë e menaxhmentit.
“Janë kontraktorë që i ka sjellë kompania ‘Limak’, që janë duke punuar punë të vrazhda nëpër rrethojë të aeroportit dhe i ka shti të ngarkojnë valixhe, të kryejnë punën e një operatori të licencuar” , vijoi ai.
Kryesindikalisti ka mohuar se është bërë presion ndaj punëtorëve që t’i bashkoheshin kësaj greve.