Sekretari i ministrisë së Integrimeve: Nuk kemi ndërmarrë veprime në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare
Ministria e Integrimeve Evropiane ka mohuar kategorikisht pretendimet e shoqërisë civile se kjo ministri përmes pesë konkurseve publike të hapura po tenton punësime mbi baza partiake dhe po bënë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Po ashtu, shoqëria civile ka kërkuar anulimin e këtyre konkurseve publike për tu dhënë mundësi për punësim bursistëve nga Skema e Profesionistëve të Rinj, projekt ky i financuar nga Komisionit Evropian dhe Qeveria e Kosovës.
E lidhur me këtë çështje, sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Integrimeve Evropian, Kushtrim Cukaj në një intervistë për KosovaPress deklaron se kjo ministri nuk ka bërë asnjë shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat mund t’i dëmtojnë të rinjtë e Kosovës.
Madje sipas tij, ministria e Integrimeve Evropiane mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Integrimeve Evropian, i ka hedhur poshtë akuzat e shoqërisë civile për punësime mbi baza partiake duke thënë se ministria e Integrimeve Evropiane nuk ka ndikim mbi punësimet që ndodhin brenda Shërbimit Civile të Kosovës.
Ai madje pretendimet e shoqërisë civile karshi hapjes së konkurseve publike në ministrinë e Integrimeve Evropiane i ka quajtur tendencioze.
Duke folur rreth programit të Skemës së Profesionistëve të Rinj që mbështetet nga Komisioni Evropian, Cukaj tha se objektiv i tyre mbetet që brenda vitit 2019 të punësojnë 11 përfitues të bursave YCS.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Integrimeve Evropiane këtë javë ka nisur intervistimi i katër prej bursistëve nga programi i Skemës së Profesionistëve të Rinj, ku brenda një periudhë të shkurt kohore do të ndodh edhe punësimi i tyre.
Sipas tij, të gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj për vitin 2018 janë punësuar.
Kujtojmë që disa organizata të shoqërisë civile, mbështesin fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojnë nga, siç shprehen ata, ministrja në dorëheqje Dhurata Hoxha, anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.
Sipas këtyre organizatave veprimet e Ministrisë së Integrimit Evropian përkitazi me pesë (5) konkurse publike përbëjnë: shkelje të një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës; shkelje të akteve sekondare të Qeverisë; rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve Kosovar, si dhe rrezikojnë pezullimin e asistencës së BE-së në vlerë prej 45.5 milionë EURO.