75 Mall Live Search
12:38 / E Premte, 23 Gusht 2019 / indeksADMonline

Vrasja e 26-vjeçarit në Tiranë, zbulohen emrat e autorëve dhe të të arrestuarëve

Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e shënuar ditën e djeshme në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet, ku 26-vjeçari Indrit Çelaj, i cili ndërroi jetë rreth një orë më parë në spitalin e Traumës, u plagos me një plumb në kokë teksa po punonte për kondicionimin e një vile 3-katëshe.

Si autorë të dyshuar të krimit, janë shpallur në kërkim dy vëllezërit, Griseldo dhe Albano Kusi, përkatësisht 31 dhe 28 vjeç, djemtë e pronarit të vilës, që e kanë qëlluar të riun pas një konflikti të çastit. Mbi të dyshuarit rëndojnë veprat penale  “Vrasje me dashje” në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Po ashtu, janë zbuluar emrat e 4 të arrestuarëve në flagrancë, mes tyre edhe pronari i vilës, Bujar Kusi, Ali (Edmond) Sula, Ferdinant Bakalli dhe Luan Çaka. Këta shtetas janë ndaluar në flagrancë për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga hetimet rezultoi se vëllezërit “kanë biseduar me shtetasin L.V, 27 vjeç, me të cilin kishin lidhje shoqërore dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes”.

Sakaq,  27-vjeçari, banues në Tiranë, është ndaluar nga Policia e Tiranës gjatë orëve të vona të natës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprat penale “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Materialet hetimore do t’i kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.