QKSS: 4,7% e serbëve i besojnë Policisë së Kosovës
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), sot, më 29 gusht 2019 organizoi në Prishtinë konferencën në të cilën ka publikuar hulumtimin me titull “Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?”. Përveç prezantimit të raportit, në konferencë u zhvillua një diskutim në panel mbi pozitën e komunitetit serb në Policinë e Kosovës dhe historikun e integrimit të këtij komuniteti në polici.
Për të mbushur vakumin institucional dhe të sigurisë pas luftës së Kosovës të vitit 1999, Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) vendosi një administratë të përkohshme në Kosovë, me autoritet ekzekutiv dhe legjislativ . Institucionet lokale, si Policia e Kosovës (PK), filluan të themelohen nën mbikëqyrjen dhe me ndihmën e UNMIK-ut dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare dhe gradualisht e morën autoritetin nga administrata ndërkombëtare. Komuniteti serb në Kosovë nuk e njohu menjëherë administratën e UNMIK-ut dhe as përpjekjet ndërkombëtare për krijimin e institucioneve të qëndrueshme multietnike. Serbët e Kosovës arritën të mbajnë struktura paralele në komunat me shumicë serbe, të cilat de facto vepronin nën autoritetin e Qeverisë së Serbisë. Strukturat paralele përfshinin shkollat, gjykatat dhe kujdesin shëndetësor, ndërkohë që strukturat paralele të sigurisë dhe prania e Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP) përbënin sfidën më të madhe për administratën e atëhershme.
Integrimi i komuniteteve etnike, në veçanti i komunitetit serb, në Policinë e Kosovës, ka qenë një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar. Procesi i integrimit filloi menjëherë pas luftës në Kosovë dhe gjatë viteve është përballur me shumë sfida, kryesisht për shkak të rezistencës së komunitetit serb të Kosovës për të njohur autoritetin e PK-së si pjesë legjitime e Shtetit të Kosovës. Procesi i integrimit filloi menjëherë pas luftës në Kosovë dhe gjatë viteve është përballur me shumë sfida, kryesisht për shkak të rezistencës së komunitetit serb të Kosovës për të njohur autoritetin e PK-së si pjesë legjitime e Shtetit të Kosovës. Komuniteti serb i Kosovës që jeton në jug të lumit Ibër, filloi ta mbështesë konceptin e policimit nga këndvështrimi i komunitetit dhe si një instrument i shërbimit publik. Ndërsa në Veri , deri në shpërbërjen e strukturave paralele të sigurisë si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, mbizotëronte trashëgimia e sistemit të mëparshëm të policimit të bazuar në militarizim dhe interesat e shtetit serb. Kjo ka sjellë perceptime të përziera ndaj PK-së në katër komunat veriore. Edhe pse shumë prej anëtarëve serb të PK-së vijnë nga ish MUP-i i Serbisë, ngurrimi kundrejt PK-së shpërfaqet jo vetëm për shkak të simbolikës që lidhet me uniformën e PK-së, por edhe për shkak të nivelit të kompetencës dhe besnikërinë ndaj interesit të komunitetit. Kjo ide është shprehur nga politikani i njohur serb në pjesë veriore të Kosovës, z. Oliver Ivanoviq, i cili kishte thënë se të njëjtët persona, të cilët
vepronin me kompetencë në MUP-in e Serbisë, nuk po veprojnë në të njëjtin nivel nën uniformën e Kosovës.
Përkundër garancive ligjore, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, PK-ja u përball me sfida madhore në aspektin e përfaqësimit të komunitetit serb të Kosovës në institucion dhe në veprimtarinë e vet në pjesën veriore të vendit. Në shkurt të vitit 2008, nën presionin e Beogradit, anëtarët serbë të Kosovës të PK-së u dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre dhe refuzuan të ndërmarrin detyrat e tyre të përditshme. Më vonë, viti 2013 shënoi suksesin më të madh në lidhje me integrimin e komunitetit serb të Kosovës në PK. Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje, e njohur si Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, në të cilën të dy vendet u dakorduan t’i shkrijnë strukturat paralele të financuara dhe të drejtuara nga Serbia dhe t’i integrojnë anëtarët e tyre në institucionet e Kosovës.
Sot, PK-ja ka një nivel të kënaqshëm të përfaqësimit të komunitetit serb të Kosovës, me 12.2% të anëtarëve të vet që vijnë nga ky komunitet. Ndërkohë që integrimi në PK i qytetarëve serbë të Kosovës ka qenë i suksesshëm nga ana statistikore, ai nuk pasqyron të njëjtin sukses sa u përket perceptimeve dhe marrëdhënieve publike ndërmjet PK-së dhe komunitetit serb të Kosovës. Procesi i integrimit të komunitetit serb në PK ishte temë e dialogut Kosovë-Serbi, dhe si i tillë, është shmangur një dialog lokal me komunitetin serb në Kosovë mbi përfitimet dhe sfidat e përfshirjes në polici. Prandaj, pavarësisht ngurrimeve, shumica e tyre u inkuadruan në PK vetëm pasi u udhëzuan nga Beogradi që ta bënin këtë. Për shumicën dërmuese të qytetarëve, Policia e Kosovës (PK) perceptohet si një nga institucionet më të besueshme në Kosovë. Nga ana tjetër, komuniteti serb i Kosovës vazhdon të ketë perceptime negative ndaj policisë, me vetëm 4.7% prej tyre që kanë besim tek PK-ja. Ndërkohë që supozohet se shumica e problemeve të komunitetit serb të Kosovës janë të një natyre etnike, janë të shumta sfida me të cilat përballet ky komunitet dhe që ndikojnë në sigurinë publike. Disa nga shqetësimet kryesore të sigurisë të komunitetit serb të Kosovës dhe të strukturave lokale të PK-së janë mungesa e mjeteve teknike, keqinformimi për punën e PK-së dhe institucioneve tjera, përfaqësimi i dobët gjinor në strukturat lokale të policisë, komunikimi i dobët ndërmjet PK-së dhe institucioneve të tjera, infrastruktura e dobët, dhuna në familje, etj.
Nga kjo konferencë u konkludua se pavarësisht sfidave, integrimi në PK i komunitetit serb të Kosovës duhet të jetë një proces i vazhdueshëm. PK-ja duhet ta bazojë këtë proces në nevojat dhe sfidat e komunitetit serb të Kosovës, dhe t’u sigurojë anëtarëve të tij përfaqësim të duhur dhe vëmendje ndaj shqetësimeve të tyre të sigurisë. PK-ja dhe mekanizmat e tjerë lokalë të sigurisë duhet të ndërmarrin aktivitete të ndryshme për t’i bërë mandatet dhe punën e tyre të qarta për komunitetin serb të Kosovës. Duke vepruar kështu, ata do t’i afrohen komunitetit, do të inkurajojnë bashkëpunimin, dhe do të promovojnë tolerancën dhe përfshirjen.