Tentativë vrasjeje në Pejë, i dyshuari braktisi veturën në Carrabreg të Deçanit
Mbrëmë rreth orës 22:40, Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Menjëherë njësitet relevante të policisë kanë shkuar në vendngjarje për të mësuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin.
Sipas të dhënave preliminare dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë 3 (tri) herë në drejtim të viktimave, ku fatmirësisht kanë shpëtuar, ndërsa vetura e viktimës është goditur nga predhat në të dyja dyert e veturës.
Pas këtij sulmi me armë, i dyshuari ka ikur me veturën e tij në drejtim të Deçanit, më pas në fshatin Carrabreg, ka braktisur atë dhe ka ikur në drejtim të panjohur.
Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar 3 (tri) gëzhoja të kalibrit 9mm, po ashtu është konfiskuar edhe vetura e të dyshuarit, ndërsa vetura e viktimës është duke u ekzaminuar nga hetuesit rajonal të Drejtorisë Rajonale në Pejë.
Policia ka zbuluar identitetin e personit të dyshuar dhe është duke i marrë të gjitha masat për arrestimin e tij.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit.