75 Mall Live Search
15:41 / E Mërkurë, 25 Shtator 2019 / indeksADMonline

Pantina thotë se reformimi i administratës garanton shërbime cilësore

Partia Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë mbajtur sot një konferencë të përbashkët shtypi, ku kanë shpalosur pjesë nga planprogrami qeverisës i koalicionit AAK-PSD për reformimin e administratës shtetërore si dhe synimin për ta miratuar Ligjin për Qeverinë, përmes të cilit shkurtohet numri i ministrive, zëvendësministrave dhe numrit ta panevojshëm të zyrtarëve qeveritarë.

Kandidatët për deputetë, Shqipe Pantina dhe Besnik Tahiri, treguan hapat që do të ndërmerren lidhur me këtë.

“Synim yni për Qeverinë e ardhshme, është që e para, të fillojmë digjitalizimin e procesit të rekrutimit. Kjo nënkupton se i gjithë aplikimi për të gjitha pozitat në administratën publike, e kur themi administratën publike, nënkuptojmë administratën shtetërore, pra ministritë, arsimin dhe shëndetësinë, do të bëhet në formë digjitale. Aplikimi do të jetë online dhe testi do të jetë baza e vlerësimit. Pra 70% e vlerësimit do të bazohen në testin, i cili do të bëhet në formë anonime. Pra aplikuesi do të ketë shifrën e vet dhe i gjithë vlerësimi do të bëhet pa e ditur emrin e kandidatit”, tha znj. Pantina.

Ndërsa, Besnik Tahiri theksoi se Ligji për Qeverinë është tashmë i përfunduar. Ai prezantoi dy versionet se si do të dukej Qeveria e ardhshme, me 12 dhe me 15 ministri, duke nënvizuar se rekomandimi i tij ishte Qeveria me 15 ministri.