Trajneri i Dukagjinit: Tabela e klasifikimit për momentin s’e tregon realitetin e perfomancës së ekipit
Trajneri i Dukagjinit, Xhengiz Rexhepi, ka folur për IndeksOnlinen, në lidhje me formën e dobët në të cilën është duke kaluar skuadra e tij.
Fajin për formën e skuadrës së tij e ka marrë vetë Rexhepi përsipër, duke thënë: “Gjithë problemi qëndron tek unë, do mundohem ma mirë t’i përgatis për ndeshjet e radhës”.
Po ashtu si një faktor për rezultatet e Dukagjinit, trajneri thotë se është edhe fati dhe ndarja e drejtësisë.
“Nga gjashtë xhiro të zhvilluara kemi merituar shumë më tepër, por fati sportiv, ndarja e drejtësisë kanë qenë faktor për pozitën ku ne ku gjendemi. Këto gjashtë ndeshje kemi pasur gjashtë shtylla, më pak se në 7-8 situata kemi qenë me portierët “sy më sy”, fati sportiv dhe qetësia e futbollistëve para golit është shumë e rëndësishme ne futboll”.
Kurse për ndeshjen e ardhshme kundër Llapit , Xhengiz Rexhepi, tha se nuk do të jetë e lehtë, mirëpo gjithçka varet nga ekipi, shkruan IndeksOnline.
“Superliga nuk ka ndeshje të lehtë, skuadra e Llapit ka cilësi, por gjithçka varet nga ne”.
Po ashtu trajneri i Dukagjinit e ka komentuar edhe pozitën në tabelë në të cilën është tani për tani skuadra e tij, e që është pozita e fundit me as një fitore deri tani, ai tha se “Tabela e klasifikimit për momentin nuk tregon realitetin e perfomansës se ekipit tim, por ne jemi vetëm 5-6-7 pikë larg mesit të tabeles, ashtu që gjithçka mund ndryshojë me dy, tri fitore, ne nuk e kemi aspak në kokë të dërzohemi, ne jemi në mini krizë rezultatesh e jo lojës”.
Ndërkaq për ekipin e tij Xhengiz Rexhepi ka treguar se është i kënaqur dhe ka besim se do të vijnë golat dhe fitoret.
“Nga ekipi jam i kënaqur çdo njëri jep performansë të mirë, do vijnë golat dhe fitoret”, u deklarua trajneri i Dukagjinit./Indeksonline/.