75 Mall Live Search
15:58 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Kosova shënon Ditën pa Viktima në rrugë, 15 viktima më pak

Policia e Kosovës thotë se Dita Evropiane pa Viktima në Rrugë po shënohet në Kosovë me 15 viktima më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Në shënimin e kësaj ditë nga ekspertë të komunikacionit u tha se numri i aksidenteve nuk mund të bie në zero, veçse mund të ulet ndjeshëm.

Koloneli i Policisë së Kosovës, Jeton Rexhepi në një tryezë të organizuar nga Kolegji “Tempulli”, tha se policia është e gatshme të mbështesë projekte që ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për të gjithë pjesëmarrësit që duhet t’i respektojnë rregullat e komunikacionit.

Sipas tij, dita e sotme shënohet me 15 viktima më pak, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit që shkoi.

“Ne e shënojmë këtë ditë me 15 viktima më pak sesa vitin e kaluar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për çka është synimi jo vetëm i rekomandimeve që dalin nga BE, nga OKB por të njëjta rekomandime objektiva janë edhe në strategji dhe në planet edhe strategjike dhe vjetore të institucioneve përkatëse që të kemi sa më pak aksidente në përgjithësi në veçanti punojmë që numri i aksidenteve me persona që humbin jetën dhe ata që lëndohen rëndë të kem numër më të vogël krahasim me vitet paraprake. Si Polici e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Infrastrukturës komunat përkatëse edhe komunën e Prishtinës, kemi identifikuar 159 shkolla që do ketë ligjërata”, tha ai.

E drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se shifra e aksidenteve në rrugë nuk mund të bëhet zero, por numri i aksidenteve mund të zvogëlohet ndjeshëm.

“Një aksident më pak, një i lënduar më pak, një i vdekur më pak në rrugë do thotë më shumë siguri në rrugë dhe pikërisht kjo është objektiva e shënimit të ditës së sotme. Duhet të jemi racional se në synimin tona nuk arrihet shifra në zero e aksidenteve brenda një dite, por mund të zvogëlohet ndjeshëm numri i aksidenteve këto synime nuk duhet të ndalen në një ditë të vetme si sot më 26 shtator por duhet të shoqërohen me veprime konkrete dhe konsistente. Të gjithë përdoruesit e rrugës duhet të ndalen për një moment për të reflektuar dhe marrë veprime të vogla dhe të vazhdueshme që qojnë në përmirësime të mëdha në sigurinë rrugore”, tha ai.

Në shënimin e Ditës Evropiane pa Viktima në rrugë, Fejzullah Mustafa nga Këshilli për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë Ministrisë së Infrastrukturës tha se po punojnë për një infrastrukturë të mirë me aksidente më pak.

“Jemi në vlugun e modernizimit të infrastrukturës rrugore për një infrastrukturë rrugore më të mirë për aksidente më pak sepse duke u mbështetur në statistikat të aksidenteve më të pakta i kemi në autostradat e Kosovës. Jemi në vazhdën në aktivitet të disa akteve ligjore sa i përket ekskluzivisht sa i takon që ngërthen sigurinë rrugore që kemi të bëjmë me udhëzimet administrative apo aktet në ligjore duke u mbështetur në infrastrukturën rrugore që në zhargonin modern evropian jemi në draftimin e udhëzimit të RSI-së, RSA-së ose siguria rrugore, auditimi dhe inspektimi i sigurisë rrugore, dhe jemi në vazhdën e hartimit të disa udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me automjetin”, tha Mustafa.

26 shtatori, Dita Evropiane pa Viktima në rrugë u shënua edhe në Kosovë me një sërë aktivitetesh që kanë pasur fokus vetëdijesimin e shoqërisë./