75 Mall Live Search
10:16 / E Hënë, 14 Tetor 2019 / indeksADMonline

Japonia goditet nga tajfuni “Hagibis”, më i rëndi në dekada

Më shumë se 110.000 persona janë duke marrë pjesë në operacionin e kërkimshpëtimit, pasi tajfuni “Hagibis” ka goditur Japoninë të shtunën.

Tajfuni, i cili po konsiderohet si më i rëndi që ka prekur këtë shtet për dekada, ka lënë të vdekur 37 persona, ndërkohë që 20 të tjerë janë zhdukur.

Tajfuni “Hagibis”, ka detyruar edhe anulimin e tri ndeshjeve në kuadër të Kampionatit Botëror të Rubyit, ndonëse ndeshja kryesore në mes të Japonisë dhe Skocisë është zhvilluar.

Trajneri i ekipit kombëtar të Japonisë, Jamie Joseph, ka përmendur më vonë të prekurit nga ky tajfun.

“Të gjithë ju që po përballeni me tajfunin, kjo ndeshje është për ju. Turma ka qenë masive për ne dhe sot kjo ka qenë më shumë sesa ndeshje”, ka thënë ai.

“Hagibis”-i ka prekur tetë rajone të Japonisë, me erëra deri në 225 kilometra në orë.

Është raportuar se 92.000 shtëpi vazhdojnë të mos kenë energji elektrike dhe 120.000 të tjera po përballen me mungesë të ujit të pijshëm.

Më shumë se 7 milionë banorëve u është kërkuar të largoheshin nga shtëpitë e tyre, mirëpo është konsideruar se vetëm 50.000 kanë qëndruar nëpër kampe të strehimit.

Kryeqyteti Tokio nuk është dëmtuar derisa zonat afër tij janë vërshuar nga uji.

Muajin e kaluar tajfuni “Faksai”, po ashtu pati prekur disa zona të Japonisë, duke dëmtuar 30.000 shtëpi, shumicën e të cilave banorët nuk kanë arritur t’i rregullonin.