75 Mall Live Search
11:01 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Votat e ardhura nga Serbia, KQZ-ja me standarde të dyfishta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dje kishte vendosur që votat e ardhura nga Serbia, përmes rrugëve jo ligjore, të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Për këtë veprim pati reagime të shumta nga partitë politike.

Madje komisionerët dhe vëzhguesit e disa prej subjekteve politike në shenjë proteste lëshuan sallën e QNR-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke kundërshtuar numërimin e atyre votave tha se një gjë e tillë u tentua të bëhej edhe në zgjedhjet e kaluara lokale në Istog, por organet ligjore sipas tij parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.

Mustafa tha se nuk duhet lejuar asnjë votë të paligjshme në Kosovë.

E anulimin e vendimit të KQZ-së për numërim të atyre votave e kërkoi edhe kreu i Nismaës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili kërkoi vetëm të respektohet ligji i zgjedhjeve.

Kundër numërimit të votave të ardhura nga Serbia është deklaruar edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Ish kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ato fletvotime nuk kanë arritur në rrugë zyrtare, të postës, por kanë ardhur në kanale indirekte.

“Që kanë ardhur në mënyrë indirekte këtë madje e kanë pohuar edhe anëtarët e Listës Serbe në KQZ ku sipas tyre kjo ka ndodhur për shkak të mos bashkëpunimit të postes mes dy shteteve”, ka thënë Baraliu.

Ai thotë haptas së vendimi i KQZ-së për t’i numëruar ato vota është i gabueshëm.

“KQZ-ja mendoj se ka marrë vendim jo të drejtë për t’i numëruar votat e ardhura nga Serbia aq më tepër kur ky institucion nuk i ka pranuar votat e ardhura nga mërgata e të cilat ishin rreth pesë mijë”, ka thënë Baraliu.

I pyetur për rastin e ngjashëm të ndodhur në Istog gjatë zgjedhjeve lokale, Baraliu tha se KQZ-ja po përdor standarde të dyfishta sa u përket votave të ardhur nga Serbia.

“Vendimi për numërimin e atyre votave mund të tërhiqet nga KQZ dhe kjo është mirë të ndodhë. Subjektet politike sigurisht se do të ankohen për këtë proces dhe me plotë të drejtë kërkojnë të mos numërohen ato vota”, ka deklaruar ndër të tjera Baraliu.

Indeksonline ka kontaktuar edhe sekretariatin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të cilët kanë thënë se në lidhje me këtë rast nuk kanë marr asnjë vendim, pasi që nuk ka pasur ankesa nga subjektet politike.

Mul Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it ka thënë se në lidhje me numërimin e votave të ardhura nga Serbia, PZAP-i deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë.

“Ne nuk kemi asnjë provë lidhur me këto vota, për faktin se nuk kemi pranuar ankesa, nëse do të paraqitej ndonjë ankesë lidhur me këto vota do të kishim pranuar edhe prova dhe shkresa tjera të lëndës në mënyrë që PZAP-i ti shqyrtoj dhe të marr vendim lidhur me to”, ka thënë Desku.

Mbrëmë anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti gjatë vëzhgimit të procesit të numërimit të votave të ardhura nga Serbia ka deklaruar se ato janë të mbushura nga e njëjta dorë.

Disa prej anëtarëve të KQZ-së madje kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe anuluar, siç e quajnë ata, këtë parregullsi të madhe që ka ndodhur./Indeksonline/