Propozohet që burrat e martuar në Amazonë të mund të bëhen priftërinj
Peshkopët katolikë kanë votuar për t’i lejuar burrat e martuar që të bëhen priftërinj në rajonin e Amazonës në Brazil, duke bërë një përjashtim nga rregulli i vjetër për beqarinë e shërbyesve kishtarë.
Votimi u zhvillua në fund të asamblesë së Vatikanit kushtuar Amazonës, rajon që po përballet me mungesë të priftërinjve.
Në mënyrë që propozimi i ri të hyjë në fuqi, ai duhet të miratohet nga Papa Françesku, i cili do ta bëjë të ditur qëndrimin e tij për këtë çështje së shpejti.
Në votim morën pjesë rreth 180 peshkopë katolikë. Në këtë asamble u diskutua edhe për rolin e grave në kishë dhe për çështjet mjedisore.
Kisha Katolike është institucioni më i vjetër në botën perëndimore, i themeluar para rreth dy mijë vjetësh. Pjesë e saj janë më shumë se një miliard anëtarë.
Sipas propozimit të ri, të miratuar me 128 vota për dhe 41 kundër, burrat e martuar, të cilët janë të dëshmuar për virtytet e tyre të karakterit, mund të shërbejnë si priftërinj në pjesët e skajshme të Amazonës, shkruan “BBC”.