Ministria e Arsimit lëshon objekte me qira, ndërkohë Instituti Pedagogjik zhvendoset në një objekt privat!
Shumë institucione të Republikës së Kosovës, qëndrojnë nëpër objekte private me qira, duke u shpenzuar miliona euro nga buxheti edhe ashtu i varfër i Kosovës.
Departamente të ministrive, ndërmarrjeve publike si edhe institute të ndryshme për të cilat Qeveria e Kosovës me vite të tëra ka paguar dhjetëra miliona euro. Një ndër to është edhe Instituti Pedagogjik i Kosovës, i cili është nën varësinë e Ministrisë së Arsimit.
Që nga muaji mars, ky institut është vendosur në një objekt privat me qira në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Për këtë Ministria e Arsimit paguan 21.600 euro qira vjetore. Indeksonline, ka kontaktuar drejtorin e këtij instituti Nezir Çoçaj për të marrë informacione më të hollësishme se pse kanë dalë me qira në një objekt privat dhe hapësirat të cilat i shfrytëzojnë?
“Ne objektin me qira jemi nga muaji mars 2019, ka 300 metra katror, ndersa shuma e qirasë eshte 1.800 euro neto. Disa herë kemi bërë kërkesa në MASHT dhe në Ministrinë e Administratës Publike (MAP). MASHT-i nuk ka pasur hapsira dhe mundësi që të na bënte zgjidhje, ndërsa MAP-ja na ka siguruar Kontenjerin nr. 2 në kompleksin e Rilindjes, ku kemi qëndruar që nga viti 2012 deri në mars 2019. Mirepo, kushtet higjienike dhe shëndetësore nuk na kanë mundësuar që të qëndrojmë në këtë kontenjer. Për këtë ka pasur shkresë edhe Inspektorati i Punes dhe MAP-ja që kanë sugjeruar që mos të qëndronim në këtë kontenjer. Pra, kemi qenë të detyruar që të merrnim vendimin në Këshillin Drejtues për të dalë me qira”, thuhet në përgjigjien e z.Çoçaj.

Instituti Pedagogjik në fillim ka qenë i vendosur në Institutin Albanologjik në një sallë të improviziuar. Por në vitin 2012 është nxjerr nga aty me arsyetimin e rinovimit e që më nuk është kthyer me arsyetimin për mungesë hapesire. Por nga fotografitë e bëra nga Indeksonline në objektet e këtij instituti ndodhen disa biznese private që i shfrytëzojnë rreth 600 metra katrorë, të cilat i ka dhënë me qira Instituti Albanologjik i Kosovës. Drejtori i Institutit Pedagogjik thotë se ata kanë kërkuar që të vendosen përsëri në objketin e Institutit Albanologjik, por kjo gjë u është refuzuar.

“Sa i përket çështjes së Institutit Albanologjik, ne kemi qenë 2 vjet (2010-2012) në njërën nga sallat e këtij instituti, por pas rinovimit të tij, nuk kanë pranuar që edhe ne të na sigurohej e njëjta hapësirë e qëndrimit”, thotë për Indeksonlinen z. Nezir Çoçaj. Ne kemi kontaktuar edhe me drejtorin e Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, për të marrë të dhëna më të hollësishme për hapsirat e dhëna me qira bizneseve private dhe kush I menaxhon ato mjete si edhe arsyet se pse nuk është krijuar hapësirë edhe për Institutin Pedagogjik që të vendoset në këtë objekt? Sa i përket interesimit tuaj për hapësirat e dhëna me qira, ju njoftojmë se objekti i librarisë fillimisht i është dhënë me qira operatorit të tashëm që më 1998, pra para lufte, ndërsa hapësirat e tjera asnjëherë nuk kanë qenë pjesë funksionale e Institutit Albanologjik. Hapësirat janë mjaft të ngushta, të ndara dhe të ndërtuara me materiale montimi. Në të vërtetë, kanë qenë nënkalime në shtylla, të cilat, pas luftës, në kohën kur IA ka qenë nën menaxhimin e Universitetit të Prishtinës (pra nën menaxhimin ndërkombëtar), nëpërmjet një thirrjeje publike, janë ofruar që të përdoren nga të interesuar për veprimtari që nuk e pengojnë punën e Institutit. Fjala është për librarinë “Artini” – hapësira e së cilës ka ekzistuar që nga fillimi në bodrum të IA (100 m2), NT “Comtrade computers” (252 m2) dhe ETC – shkollë e gjuhëve të huaja (135 m2). 2. Mjetet e qirasë paguhen në Thesarin e MF. Lidhur me mjetet që sigurohen nga qiratë, rreth 53 200 euro në vit, MASHT dhe MEF kanë nënshkruar memorandum të mirëkuptimit, me të cilin rregullohen dedikimi dhe mënyra e shfrytëzimit të tyre si të hyra vetjake. 3. Instituti Pedagogjik, pas themelimit të tij për afro 5 vjet ka funksionuar në një hapërirë të përbashkët (më se 20 të punësuar), gjithnjë deri në renovimin e objektit të IA. Me rastin e renovimit IA ka dyfishuar hapësirën për Bibliotekën dhe hapësirën e sallës etnografike. Rrjedhimisht nuk ka asnjë hapësirë për vendosjen e një institucioni tjetër dhe periudha e qëndrimit të tyre në objektin tonë ka qenë e shoqëruar me vështirësi të mëdha funksionale për punën e IA. Thuhet në përgjigjien e drejtorit të Institutit Albanologjik z. Hysen Matoshi.

Indeksonline i ka dërguar pyetje edhe institucionit që i menaxhon këto institute Ministgrisë së Arsimit për të kuptuar se pse nuk ka bërë zgjidhje për institutin Pedagogjik që të vendosen në një objekt shtetërorë dhe të mos paguajnë qera, por as pas një jave nuk kemi marrë përgjigjie, përgjigjie nuk kemi marrë as se çfarë ndodhë me mjetet të clat inkasohen në arken e minsitrisë së Arsimit mga lokalet e dhëna me qira të institutit Albanologjik?

Është e habitshme se si shumë objekte që kanë qenë në pronësi shtetërore janë privatizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nga aty janë nxierr institucionet shtetërore për të dalë me qira nëpër objekte private!