75 Mall Live Search
12:56 / E Premte, 01 Nëntor 2019 / indeksADMonline

​Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit shënon 40- vjetorin e themelimit

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit sot ka shënuar 40- vjetorin e themelimit ku ka organizuar konferencën e dytë shkencore.

Shumë profesorë të huaj, si dhe nga Kosova ishin prezent në këtë organizim, ku padyshim që nuk mungoi as kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj Driton Kuka.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi tha se sot u mbushën gjithsej 40 vite udhëtim që nga themelimi i këtij fakulteti. Dita e sotme, sipas tij, për të gjithë studentët, pedagogët si dhe për Universitetin e Prishtinës është një ditë krenarie.

“Sot 40 vjet rrugëtim që nga viti 1979, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit po kujton dhe numëron kohën e bashkë me të edhe sukseset. Dita e sotme 1 nëntor 2019 për studentët, pedagogët, prorektorët e fakultetit por edhe për të gjithë Universitetin e Prishtinës është një krenari e shumëfishtë. Është një kremte e shumëfishtë. Sot këtu me mysafirë shumë të veçantë me mjeshtër të pendës, studiues, hulumtues publicistë, sportistë, veteranë, media të shkruara dhe elektronike po shënojmë një ngjarje të veçantë, 40 vjet dije në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Është një moment që koincidon me vlugun e aktiviteteve tona. Që të shohim se vërtetë se nga kemi filluar, ku kemi arritur dhe cili është rrugëtimi dhe vizioni për ardhmërinë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit”, u shpreh Selimi.

I pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani i cili në emër të Lëvizjes Olimpike të Kosovës uroi 40 vjetorin e themelimit duke uruar që bashkëpunimi mes këtij fakulteti dhe KOK-ut të vazhdojë edhe më tutje.

“Dëshiroj që në emër të Lëvizjes Olimpike t’ju përgëzoj për këtë përvjetor. T’ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë që kemi midis Komitetit Olimpik dhe fakultetit tuaj që është një parakusht për krijimin e një ambienti më të mirë që sportistët, trajnerët dhe zyrtarët tjerë ta shpërfaqin dijen e tyre në sportin në përgjithësi”, u shpreh Hasani.