ATK-ja, në aksion për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve borxhlinj
Administrata Tatimore e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar aksionin për konfiskimin e pasurisë së tatimpaguesve, të cilët nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore të ATK-së, në pagesën e borxheve në afatin e përcaktuar, si edhe nuk u janë përgjigjur paralajmërimeve të ATK-së, se do të ndërmerren veprimet e mbledhjes së detyrueshme të tatimeve, përmes konfiskimit të pasurisë.
Procedura e konfiskimit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është zhvilluar ndaj tetë (8) tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa, vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 183.778.39 euro.
Si rezultat i shumë aktiviteteve intensive që Administrata tatimore është duke ndërmarrë, kemi trend pozitiv të zvogëlimit të borxheve, të cilat kanë reflektuar në rritjen e të hyrave.
Që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, ATK ka mbledhur gjithsejtë 83.6 milion euro borxhe, që në krahasim me vitin e kaluar kemi zvogëluar borxhin për 21 milionë euro. ATK-ja do të vazhdojë mbledhjen e të gjitha borxheve të papaguara, duke u ofruar tatimpaguesve mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve për pagesë të borxheve sipas procedurave të parapara ligjore. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë tatimpaguesve borxhlinj, të cilët neglizhojnë pagesën e borxheve të tyre, ATK-ja do të aplikojë mbledhjen e detyrueshme për inkasimin e këtyre borxheve, që nënkupton konfiskimin e pasurisë, dhe format e tjera detyruese të parapara me ligj.
Përveç konfiskimit të pasurisë, aksioni në fjalë do të shtrihet edhe në mbledhjen e të gjitha gjobave mandatore, të cilat janë të papaguara.
Aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, andaj inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme.
Fokusi ynë vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore.