75 Mall Live Search
10:30 / E Martë, 05 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Shpendi, disa fjalë për Astritin

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë një shkrim për Astrit Deharin, me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së tij.

Ahmeti ka shkruar disa kujtime që kishte me të ndjerin, sa ishte në Vetëvendosje.

“Sot në trevjetorin e vdekjes së hershme të Astritit, ta kujtojmë Astritin për njeriun që ishte, modest, punëtor, zë i butë për miqtë, e zë i fortë për drejtësi e barazi”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Astrit Dehari ishte aktivist politik, aktivist i LVV, student shembullor dhe për një kohë edhe punëtor shembullor në Komunën e Prishtinës.

Përveç temave të drejtorisë së shëndetësisë, vinte te unë në zyre gjithmonë kur kishte takuar ndonjë qytetar në hall nga gjendja ekonomiko-sociale dhe mendonte se duhet ti ndihmojmë. E shihte si qëllim jetësor ndihmën për njerëzit në nevojë.

Vdekja e tij në burgun e Prizrenit ku ishte dërguar dhe mbajtur padrejtësisht mbetet e pasqaruar. Dhe kjo është barrë jo vetëm për pushtetin e atëhershëm politik e administrativ, por barrë për secilin qytetar të Republikës. Barra dhe përgjegjësia vecse do të shtohen deri të zbulohen krejt rrethanat dhe krejt përgjegjësit e asaj çfarë ka ndodhur.

Por, sot, në tre vjetorin e vdekjes së hershme të Astritit, ta kujtojmë Astritin për njeriun që ishte, modest, punëtor, zë i butë për miqtë, e zë i fortë për drejtësi e barazi.

Shpirti ndjesë i past!

#drejtesiperastritin