AMMK: Në Kosovë ekziston një sasi e konsiderueshme e mbeturinave të rrezikshme
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, bazuar në të dhënat e grumbulluara nga institucionet e ndryshme relevante dhe nga vizitat monitoruese në terren ka bërë një vlerësim për gjendjen aktuale të këtyre mbeturinave.
Ky raport është raporti i parë i këtij lloji i publikuar në Kosovë, që e ka në fokus gjendjen e mbeturinave të rrezikshme dhe përfshinë kryesisht të dhënat për mbeturinat e rrezikshme industriale. Shumica e këtyre mbeturinave kanë mbetur si pasojë e proceseve industriale nga e kaluara, ku shumë fabrika dhe reparte industriale ishin shkatërruar dhe demoluar duke lënë kështu edhe shumë kimikate te rrezikshme si mbeturina.
Mes tjerash raporti ofron informacione të përmbledhura për sasinë dhe vendndodhjen e mbeturinave të rrezikshme, përbërjen kimike të këtyre mbeturinave, të dhënat për origjinën e vendit, vëllimin e mbeturinave të rrezikshme, mënyrën si menaxhohen ato, masat e ndërmarra deri më tani për zvogëlimin e rrezikut, rrezikun që paraqesin për mjedisin dhe shëndetin si dhe për gjendjen aktuale të tyre, legjislacionin që e trajtojnë këtë problematikë si dhe nevojën për hartimin e një plani për trajtimin e tyre në të ardhmen.
Pas luftës në Kosovë,. Sasia e këtyre mbeturinave në shumë raste ishte e madhe, ndërkohë që kapacitetet institucionet relevante shtetërorë apo edhe operatorët si privatizues të pronave për menaxhimin e tyre ishin të vogla.
Në Kosovë akoma nuk ka një sistem të nivelit të duhur të menaxhimit të mbeturinave të rrezikshme. Pas vitit 1999 sasi të mëdha të mbeturinave të rrezikshme janë të mbledhura në depo dhe vende jo adekuate dhe pa ndonjë standard të ruajtjes së tyre. Ato gjinden në shumë rajone të Kosovës. Aktualisht mbeturinat e rrezikshme që kanë burime të ndryshme ruhen në objekte të ish fabrikave përkatëse, në magazina dhe depo të një sigurie të nivelit shumë te ulët dhe pa standard. Këto mbeturina janë të sistemuara pa ndonjë kriter dhe vlerësim paraprak. Në shumë rast kur fabrikat apo magazinat e caktuara janë privatizuar, pas procesit të shitjes së kësaj pasurie shtetërore, pronarët e rinj legjitim të cilën i kanë trashëguar këto mbeturina, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje adekuate për asgjësimin e tyre.
Raporti evidenton edhe faktin se përkundër monitorimit të vazhdueshëm dhe mbajtjes nën kontroll të mbeturinave të rrezikshme industriale nga ana e Inspektoratit të MMPH, KFOR dhe FSK, ato çdo herë paraqesin rrezik permanent për mjedisin dhe ekosistemin në tërësi deri sa të bëhet asgjësimi i tyre përfundimtar. Raporti konkludon po ashtu se përkundër shumë hulumtimeve nga institucionet monitoruese kompetente dhe përkundër këtij hulumtimi fillestar, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim më i detajuar për përbërjen dhe llojin e këtyre mbeturinave të rrezikshme, shkallën e rrezikshmërisë në mjedis, si dhe ndikimin potencial në shëndet, ujë, tokë apo ajër.