Reali heq dorë nga Pogba dhe Eriksen, për super talentin e Napolit
Real Madrid ka ndryshuar objektiv në merkato sa i përket repartit të mesfushës.
Pasi u përpoqën gjatë verës për të afruar Paul Pogba nga Manchester United dhe Christian Eriksen nga Tottenham, drejtuesit e “Los Blancos” tashmë kanë vendosur në qendër të vëmendjes një tjetër lojtar.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Napolit, Fabian Ruiz, i cili është duke bërë një sezon fantastik në Seria A. Zërat e fundit rreth interesimit të madrilenëve kanë shtyrë drejtuesit e klubit të kaltër të rinovojnë sërish me mesfushorin në mënyrë që të rrisin edhe klauzolën në kontratën e tij, por deri tani palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
Edhe pse presidenti De Laurentiis ka deklaruar shpesh herë se Fabian Ruiz nuk është në merkato, një ofertë e mirë mund ta bindte atë të hiqte dorë nga mesfushori spanjoll.