14:50 / E Mërkurë, 13 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Kokaina “borë”, heroina “gështenjë”… – kodet e trafikantëve për shitjen e drogës

Dy shqiptarë dhe 20 shtetas grekë u arrestuan në Athinë, si pjesë e 7 bandave kriminale, të bashkuara në një grup të vetëm që trafikonte drogë.

Në total u kontrolluan 20 shtëpi, si edhe u sekuestruan sasi kokaine dhe heroine me vlerë 42. 100 euro, gjashtë makina, pistoleta, fishekë dhe një laborator droge.

Çmimi i një doze heroine, 0.5 gramë, ishte 7 deri në 8 euro, një çmim shumë konkurrues. Për të shpërndarë drogën ata përdornin media të ndryshme sociale dhe aplikacione në internet, për të shmangur kontaktin me telefon.

Gjatë bisedave ata përdornin fraza dhe kode specifike për të mos u kuptuar nga autoritetet. Hashashi kodohej me fjalët “goma”, ose “jeshile”, ndërsa tabletat ishin “karamelet”. Heroina ishte koduar me fjalët “mish”, “gështenja”, apo “kafe”, për shkak të ngjyrës së errët. Kokaina quhej “e bardhë” ose “borë”, ndërsa një kg lëndësh narkotike ishte një “taksi”.

Operacioni policor kodohej si “dasmë” ose “festë”, ndërsa paratë “letra”.