75 Mall Live Search
18:03 / E Premte, 22 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Rreth 20 milionë euro ndëshkim nëse nuk zbatohet kontrata për TC “Kosova e Re”

Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane, “Contour Global”, parashihet se duhet t’i përfundojnë procedurat ligjore dhe të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”. Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, nga Qeveria aktuale në largim e Kosovës, tërhiqet vërejtja se do të ketë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.

Aktualisht, Kosova është pa Kuvend dhe me Qeveri në largim. Ndërkaq, vendimi për zbatimin e kontratës me kompaninë amerikane u mbetet institucioneve të reja që pritet të formohet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. /REL/

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë në largim, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka afat deri në maj të vitit 2020 që të përmbushet kontrata.

“Deri në atë kohë nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri pasi që maji është afati i fundit. Mosformimi i Qeverisë mund të vonojë procesin, por nuk do të thotë se mund të rrezikojë projektin. Unë po flas duke supozuar që shumë shpejt në dhjetor apo në janar do ta kemi qeverinë, e nëse zgjatet me muaj, atëherë jemi në një pozitë të pafavorshme pasi që nuk do të ketë mundësi për vendimmarrje”, thekson Lluka.

Ministri në detyrë, Lluka, rikujton se nëse zvarritjet shkaktohen nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë do të krijohet situata, sipas së cilës Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ‘Contour Global’ një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro. Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.