Në pritje të VAR-it, shiko “dhomën e zhveshjeve” në Ligën e Tretë të futbollit kosovar
Derisa kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës tha se do të bëhemi shumë shpejt me sistemin VAR, futbolli ynë vazhdon të luhet në kushte të mjerueshme.
Një rast komik ka ndodhur në ndeshjen e Ligës së Tretë, apo kategorisë së katërt, ndërmjet Opojës dhe Xërxes.
Futbollistët e skuadrave janë zhveshur prapa portave të stadiumit “Përparim Thaçi”, në Prizren.
Ata nuk kanë mundur t’i përdornin zhveshtoret e stadiumit prizrenas, duke prodhuar kështu një skenë që tregon më së miri se si luhet futbolli i kategorive të ulëta në Kosovë.
Ndryshe, Opoja fitoi ndaj Xërxes me rezultat të ngushtë 3:2, në ndeshjen interesante që u zhvillua në kuadër të xhiros së 12.
Golat për ekipin nga Opoja i shënuan Jaser Mejzini, Arbër Rustaj dhe Arbias Zymeri, shkruan gazeta “Olle”.
Me këtë fitore, Opoja është në pozitën e 10 në klasifikim, ndërsa Xërxa në vendin e fundit.
