Nisin gërmimet në oborrin e UP-së, dyshohet për varrezë masive
Kanë nisur gërmimet në kampusin e UP-së, saktësisht te vendparkimi i Fakultetit të Arteve me dyshimin se mund të ketë varreza masive.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja Drita Hajdari dhe kryetari i komisionit për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, ka thënë se këto gërmime po bëhen pasi kanë marrë një informacion nga një qytetar se gjatë kohës së luftës kishte parë duke varrosur trupa, shkruan Indeksonline.

“Ky vend ka pasur punime, gërmime edhe më herët gjithmonë në bazë të informacioneve të dëshmitarëve të ndryshëm për ekzistimin e mbetjeve mortore. Duke vepruar sipas informatave të tilla detyra e prokurorisë është me i verifikua, sepse ne gjithmonë kemi parasysh që shumë familjarë në Kosovë janë duke pritur ndonjë lajm, ndonjë zbulim për të pagjeturit, andaj ne si Prokurori kemi për obligim me i verifikua këto informacione dhe gjithmonë veprojmë në atë mënyrë që urdhërojmë gërmime.

Njësoj kemi vepruar edhe në rastin konkret, me gjithë faktin se ky lokacion është gërmuar disa herë, ne kemi pranuar një informacion të ri nga një dëshmitar tjetër, i cili pohon në mënyrë të sigurt se kishte parë gjatë luftës që në këtë vend janë varrosur trupat. Andaj, sot kemi dalë që të kryejmë gërmime dhe të verifikojmë nëse ka mbetje mortore apo jo”, tha ajo.
Ajo tha se nuk mund t’i neglizhojnë informacionet të tilla dhe se detyrë e tyre është që t’i verifikojnë.
