75 Mall Live Search
15:06 / E Martë, 26 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Veseli i bashkohet iniciativës për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti, në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka dhuruar disa batanije në përkrahje të qytetarëve që janë goditur nga tërmeti, në Shqipëri.

Në organizimin e Rinisë Demokratike në Prishtinë ku janë grumbulluar dhjetëra  batanije dhe gjëra elementare të tjera, Veseli tha se në këto momente të vështira për vëllezërit në Shqipëri duhet që të gjithë të qëndrojnë afër në forma të ndryshme përfshirë dhe ndihmat institucionale.

Veseli bëri të ditur se janë në kontakte intensive me institucionet e Shqipërisë për t’i dalë në ndihmë, teksa inkurajoi të gjithë qytetarët që të ndihmojnë këtë iniciativë.

“Republika e Kosovës është duke ndërmarrë çdo veprim që të tejkalojmë këtë situatë të tërmetit në Shqipëri. Institucionet e Kosovës tashmë vetëm kanë dërguar forcat FSK-së, Policinë kemi ndarë një ndihmë 500 mijë euro për familjet e të goditurve. Ky aksion i Rinisë së PDK-së këtu dega në Prishtinë, po gjithë në Kosovë është tepër i mirëpritur. Inkurajo gjithë qytetarët të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi”, tha Veseli.

E kryetari i Rinisë së PDK-së,  Donjet Bislimi tha se zyrat e partisë janë hapur në gjithë Kosovën dhe do të presin deri në orën 20:00 për t’i dërguar ndihmat në zonat ku gjendja është më e vështirë në Shqipëri.

“Sot ne Rinia Demokratike e Kosovës në nivel vendi jemi organizuar në një aksion humanitar të cilin e kemi ndjerë si obligim moral, shpirtëror por dhe kombëtar për t’i dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave që po kalojnë momente të vështira në Shqipëri. Sot zyrat tona janë të hapura për të grumbulluar ndihma në aspektin e rrobave veshmbathjeve, batanijeve, ndihma ushqimore, çkado që qytetarët mund të ndihmojnë. Ne sot jemi këtu në degën e Prishtinës ku brenda një ore na u kanë përgjigj një numër i madh i qytetarësh, si mund të shihen këtu ndihmat e grumbulluara. Ne planifikojmë që deri në orën 20:00 të grumbullojmë sa kemi  mundësi pastaj të dërgojmë në qytetin e Durrësit”, tha Bislimi.

Përveç Rinisë Demokratike të Kosovës iniciativa për ndihma ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe disa organizata tjera të shoqërisë civile.