Nga Kosova drejt Shqipërisë, çifti nga Suhareka që po ndihmojnë Durrësin: Dhimbjet i përballojmë bashkë
Që prej orëve të para të mëngjesit shqiptarët janë solidarizuar me njëri-tjetrin për të përballuar një sfidë shumë të madhe si lëkundjet e tokës që shkaktuan edhe viktima.
Tërmeti 6.4 rihter mori jetën e shumë personave duke lënë të lënduar dhe njerëz të zhdukur në qytetin e Durrësit dhe Thumanës.
Edhe pse kanë kaluar shumë orë që nga dridhja e parë e tokës, gjendja vazhdon të jetë shumë shqetësueses.
Thuajse të gjithë banorët janë duke qëndruar në hapësira larg ndërtimeve të larta në tenda të shumta, apo në vetura.
Në Shqipëri ka edhe shumë kosovarë që ishin aty, por edhe që shkuan për t’u dalë në ndihmë vëllezërve e motrave tona.
Gazetari i Indeksonline që gjendet në vendin e ngjarjes ka bashkëbiseduar me një banorë të Suharekës i cili bashkë me të fejuarën po qëndrojnë në Durrës. Në makinën e tyre shkruante: Dhimbjet i përballojmë bashkë.
“Jam nga Suhareka me të fejuarën time dhe vullnetarisht kemi vendosur që të ndihmojmë Durrësin sepse gjatë luftës Durrësi ka qenë mikpritës ndaj neve dhe do t’ua kthejmë atë. Kemi sjellë disa batanije, disa rroba dhe gjëra tjera”, tha Berisha.
Tutje ai shtoi se është bërë në bazë vullnetare bashkë me të fejuarën dhe me ndihmë të familjarëve të tjerë./Indeksonline/