75 Mall Live Search
22:08 / E Martë, 03 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Letra e shqiptarit për tërmetin: Na bëj të ndihemi të sigurt në shtëpinë tonë edhe na fal gjumin e rehatshëm!

Tërmeti i së martës në Shqipëri, ka goditur jo vetëm shqiptarët, por tërë opinionin. Kjo tragjedi që la të vdekur 52 persona e afër 1000 të tjerë, ende vazhdon të jetë frikë e ankth, veçmas për ata që përjetuan tmerrin e asaj nate.

E një qytetar, ka shkruar një letër mjaftë emocionuese, dedikuar “tërmetit”, e cila po qarkullon në rrjete sociale.

Kjo është letra që po bën gjiro:

Letër tërmetit:

“I dashur Tërmet!

Unë që po të shkruaj këtë letër jam një qytetar i thjeshtë i një vendi të varfër të quajtur Shqipëri. Po ta shkruaj këtë letër pasi nuk guxoj të të dal përballë edhe të ti them në sy ato që ndjej. Nuk guxoj pasi ti më ngjall frikë. Ti je i fuqishëm saqë lëviz nga vendi një qytet të tërë. Fuqia jote është e pamatshme. Ti nuk pate mëshirë kur fëmijët e vegjël tu përgjëruan që ti kurseje kur ishin nën rrënoja. Më ngjall frikë sepse je shumë i fuqishëm edhe i pamëshirshëm.


Që prej mëngjesit të datës 26 nëntor të këtij viti je bërë i pandashëm nga jetët tona. Nuk do ti harrojmë kurrë momentet e terrorit që kemi përjetuar atë mëngjes të tmerrshëm kur menduam që jeta jonë mori fund. Disa u hodhën nga dritarja e banesës tyre nga frika. Ndërsa disa të tjerë futën në gji fëmijët e tyre duke u kthyer në një tavan mbrojtës për krijesat e tyre të shtrenjta. Plot 51 jetë të shuara që nga ardhja jote, qindra të plagosur edhe mijëra zemra të plagosura të cilat nuk do shërohen kurrë. Një ngjarje famëkeqe e cila ka krijuar një plagë në zemrat e secilit prej nesh, e cila nuk do të shërohet kurrë. Goditja e madhe që na dhe me datë 26 nëntor edhe goditjet e vogla që na jap çdo ditë po na turturojnë çdo ditë. Gjumi jonë nuk është më i qetë. Kemi frikë se mos zemërohesh përsëri me ne edhe na ndëshkon ashti siç ndëshkon vetëm ti.


Në këto momente të dëshpërimit të madh, në këto momente kur frika na ka pushtuar shpirtin, në këto momente kur e nesërmja na duket e paarritshme kam një lutje të dëshpëruar ndaj teje. E dimë shumë mirë që nuk jemi aq të pafajshëm saç dukemi. Kemi prishur ekuilibrat natyror. Premë pyjet në masë edhe shkatërruam habitatet natyrore të gjallesave të tjera që ndajnë të njejtin planet me ne. E dimë shumë mirë që devijuam rrjedhjen normale të lumenjve edhe ndërtuam hidroçentrale vend e pa vend duke dëmtuar shtëpitë e gjallesave ujore. E dimë shumë mirë që malet i gërmuam, i morëm mineralet edhe gurët edhe i lamë si të shkreta. Për inat të njëri-tjetri ndërtuam pallate të larta në bregdet. Për të fituar sa më shumë i ndërtuam pa cilësi. Kursyem në hekur edhe harxhuam në jetë njerëzish. Nuk e dëgjuam zërin e intelektualëve kur na thonin që nuk duhej ndërtuar vend e pa vend por përkundrazi. Votuam atë që na jepte leje ndërtimi kundra ligjit. Për interesa personale ndërtuam një shtet kriminal edhe tani gjendemi përballë një katastrofe të madhe.

Thonë që tërmetet janë një energji e cila vjen nga brendësia e tokës e cila çlirohet në siperfaqe të saj. Ama në rastin tonë duket sikur energjia vjen nga sipërfaqja. Të jep përshtypjen e një energjie negative që qëndron mbi sipërfaqen e tokës edhe në këtë rast toka lëkundet për ta larguar gjithë këtë energji nga trupi i saj. E dimë shumë mirë që si shoqëri lëmë shumë për të dëshiruara. Ama në mesin e kësaj shoqërie me energji negative ka shumë elementë pozitivë. Ka shumë njerëz të thjeshtë, punëtorë, të ndershëm që nuk i kanë bërë kurrë keq askujt. Në mes të kësaj energjie negative ka shumë njerëz që e urrejnë këtë sistem edhe mundohen çdo ditë për ta rregulluar këtë shtet. Ka shumë njerëz që nuk kanë vjedhur, nuk kanë mashtruar kurrë. Përkundrazi çdo gjë e kanë me forcat e veta. Pjesa më e madhe e popullit tonë është në nivelet minimale të mbijetesës. Ne punojmë gjithë jetën për të pasur një shtëpi ku të fusim kokën. Është e padrejtë që ti të shkatërrosh punën e një jete të tërë të një njeriu të ndershëm. Ki mëshirë për fëmijët tanë të vegjël. Lëri ata të rriten të shëndetshëm edhe në shtëpitë e tyre. Ki mëshirë për të moshuarit tanë të cilët kanë kaluar një jetë të tërë plot me mundime. Lëri të kenë një pleqëri të qetë edhe të lumtur. Lëri shtëpitë tona të qëndrojnë në këmbë, pasi nuk kemi mundësi të ndërtojmë shtëpi tjetër.


Ti na premto që nuk do zemërohesh më me ne. Ndërsa ne kemi për detyrë që të ndërtojmë një vend të lumtur. Një vend ku duhet të jemi në harmoni me natyrën edhe me gjallesat e tjera. Ne duhet të ndërtojmë një vend i cili i trajton të gjithë njerëzit në mënyrë të barabartë. Ne duhet të ndërtojmë një vend i cili ndërtohet mbi baza të larta të moralit edhe të drejtësisë. Ne duhet të ndërtojmë një vend ku qeverisin intelektualët edhe të ndershmit jo servilat edhe të paaftët.


E di që jemi shumë të dobët përballë teje. Të kërkojmë mëshirë ama nuk kemi asgjë për të të dhënë në këmbim përveçse sinqeritetit tonë. Qetësoji zemrat tona. Na bëj të ndihemi të sigurtë në shtëpinë tonë edhe na fal gjumin e rehatshëm.”

-Altin Gjeçi-