Ikja e “trurit”: A do t’i fikë dritat mjeku i fundit, që largohet nga Kosova?
BIRN-i zbulon pasojat alarmuese që ka emigrimi në sistemin shëndetësor të Kosovës – që është përkeqësuar edhe më shumë nga industria private që po rrëmben staf mjekësor për eksport në Gjermani.
Dikur u dorëzua. Udhëtimet e lodhshme e të gjata për në punë e bindën që të marrë vendimin e padëshiruar. Blerim Berisha ishte kardiolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në kryeqytetin, Prishtinë, ku punonte ditë pas dite, duke ekzaminuar elektrokardiogramet dhe ultratingujt.
Pas një turni tetorësh, ai hipte në një makinë rrangallë dhe udhëtonte për 60 kilometra përgjatë rrugës M9 për në Klinë, në perëndim të Prishtinës, ku jetonte me gruan, vajzën dhe djalin. Në të vërtetë, nuk është se arrinte t’i shihte shpesh ata. Kjo pasi që mënyra e vetme për të mbuluar shpenzimet e jetës dhe specializimit ishte që të punonte në turne nate në burgun e Dubravës, 30 kilometra më tutje. Pastaj kthehej në shtëpi sa për të ngrënë e pushuar pak dhe sërish drejt Prishtinës për ta nisur sërish nga fillimi.“Nganjëherë më dukej se nuk do të arrija kurrë të ngopesha me gjumë,” rikujton ai. “E aq më pak të kisha kohë të kaloja me familjen.”
Këto ditë, Berisha, (42), shkon në punë me makinë përgjatë rrugëve me shtëpi gjysmë prej druri në qytezën piktoreske të Pegnitzit, pranë qytetit gjerman të Nurembergut, ku punon si kardiolog në spitalin kryesor të zonës. Ai fiton dhjetë herë më shumë se sa në Kosovë dhe kalon fundjavat duke vizituar vendbanime historike bashkë me gruan dhe fëmijët.Pesë vjet pasi mori stetoskopin dhe u zhvendos në Gjermani, Berisha nuk është bërë pishman.
“Vendimi për të ardhur këtu ishte shumë i vështirë, po nuk kisha zgjidhje tjetër,” tha ai, teksa më priti për intervistë në shtëpinë e tij në Nuremberg.Ndërsa orët e gjata të punës dhe udhëtimi i përditshëm e lodhën shumë, diagnoza që ai i bëri sistemit shëndetësor të Kosovës është ajo që i ndryshoi mendjen përfundimisht.
“Korrupsioni, mungesa e perspektivës dhe nepotizmi në institucionet publike po vrasin të ardhmen e vendit”, tha ai.
Berisha është një nga qindra mjekë të Kosovës që kanë shkëmbyer pagën e ulët dhe stresin e lartë për jetë më të mirë jashtë vendit. Shumica shkojnë në Gjermani, vend që njeh diplomat mjekësore të Kosovës.Ndërsa rruga e migrimit bëhet më e lehtë për mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë në Kosovë, BIRN-i zbuloi përmasa të gjera të ikjes së “trurit” në shtetin më të ri të Evropës.
Në një vend që ka një nga densitetet më të ulëta të mjekëve në kontinent për kokë banori, një mjek emigron çdo dy ditë ndërsa dy infermierë largohen çdo ditë, bazuar nga të dhënat e Odës së Mjekëve dhe Odës së Infermierëve.Emigrimi vjen me një kosto: qendrat e mjekësisë gradualisht po zbrazen nga stafi, pacientët po përballen me mungesë përkujdesje primare ndërsa shkollimi i ofuar publik po shkon huq. Dhe pastaj është kostoja për taksapaguesit – pasi vlerësohet se arsimimi i një mjeku tjetër kushton rreth 100 mijë euro.“Stuhia po vjen,” thotë Afrim Blyta, një profesor i neuropsikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
“Mund të them se 95 për qind e studentëve po mësojnë gjermanisht dhe synojnë të shkojnë në Gjermani. Shumë shpejt Kosova do të përballet me një mungesë akute në staf mjekësor.”
Ekspertët e shëndetësisë fajësojnë sistemin në përgjithësi si shkaktar kryesor, duke u nisur nga pagat e ulëta dhe mungesa e perspektivës për punësim në Kosovë, shto këtu edhe kërkesën e jashtëzakonshme për staf mjekësor në Gjermani, vendi që është ekonomia më e madhe në Evropë por që po përballet me plakje të popullsisë.Por një fenomen më pak i njohur po ushqen gjithashtu largimin: një industri private në lulëzim, qëllimi i vetëm i së cilës është të tërheqë punonjësit e gatshëm të shëndetësisë për t’i dërguar në Gjermani.
Nga kolegjet private tek kompanitë e shumta të ‘etura’ për rekrutim e deri tek marrja e certifikatave false të gjuhës gjermane, BIRN hedh dritë mbi këtë treg në përgjithësi të parregulluar të eksportit të punëtorëve shëndetësor.Kritikët thonë se pasojat e kësaj do të jenë zbrazja e vendit si dhe promovimi i sasisë përkundrejt cilësisë, që do të ketë pasoja serioze për sektorin e shëndetit publik.

Blerim Syla, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë, është i shqetësuar mbi pasojat e ikjes së trurit mjekësor. Foto: Shkumbin Ahmetxhekaj
Mjekë pa kufij
Në Gorance, një fshat i strukur në kodrat e Kosovës së jugut, vendësit janë mësuar me mjekët që i ikin për në Gjermani.
I fundit iku shumë muaj më parë dhe banorët thonë se kanë pak shpresa për një zëvendësim të shpejtë.Në qendrën mjekësore, infermierja Sevime Shkreta bën çfarë të mundet për t’u përkujdesur për të sëmurët. Ajo është ndihmëse me një termometër dhe për të lidhur fasha rreth plagëve të vogla. Por shpesh asaj i duhet të dërgojë pacientët për qendrën shëndetësore të Hani i Elezit.
Ky nuk është një opsion për familjen e 65 vjeçares Arife Berisha. Ajo vuan nga hipertensioni ndërsa bashkëshorti i saj ka probleme me zemrën e vjehrra vuan nga diabeti.“Ne nuk kemi mundësi të udhëtojmë për në Han të Elezit për shkak se nuk kemi makinë dhe fëmijët i kam të papunë,” tha ajo ndërsa infermierja Shkreta i mati tensionin.Në të gjithë vendin me 1.8 milionë banorë, disa qendra shëndetësore që dikur ishin të zhurmshme janë kthyer në zyra fantazmë. Edhe spitalet rajonale në qytetet perëndimore të Pejës dhe Gjakovës u detyruan të mbyllin njësi.
Në të gjithë vendin, 4,100 mjekë ushtrojnë këtë profesion, sipas Odës së Mjekëve, Kjo do të thotë se vendi ka 2.3 mjekë për 1 mijë banorë, një nga normat më të ulëta mes 47 vendeve që përbëjnë Këshillin e Evropës (Kosova ende nuk është anëtare e kësaj organizate).Vendet e vetme që kanë raport edhe më te keq janë Shqipëria (1.2), Turqia (1.8) dhe Bosnjë e Hercegovina (2.0), sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në kontrast me këtë, Gjermania ka 4.2 mjekë për 1 mijë banorë ndërsa Suedia ka 5.4.