75 Mall Live Search
14:17 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ilir Meta në Gjilan: S’mund të mos vija për të qenë pranë familjes Abazi!

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron në Kosovë.

Ai pas dekoratave dhe mirënjohjeve që shpërndau në kazermën “Adem Jashari”, për ushtarët e FSK-së, Policinë e Kosovës dhe njësitet e tjera që ndihmuan popullin shqiptar pas tërmetit të së martës që goditi Shqipërinë, presidenti ka vazhduar drejt Gjilanit.

Meta vizitoi familjen Abazi në Livoç, e cila nga tragjedia që goditi Shqipërinë, humbi dy vëllezërit, Isanë dhe Shemsedinin.

Presidenti ishte i shoqëruar nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e personalitete të tjera.

Me këtë rast Meta falënderoi edhe njëherë popullin dhe institucionet e Kosovës që treguan gatishmëri dhe solidaritet me Shqipërinë, derisa shtoi se s’mund të mos shkonte edhe te familja Abazi, përcjell Indeksonline.

“Sot isha në Prishtina, erdha edhe në Gjilan, për të shprehur falënderimin më të përzemërt dhe mirënjohjen për popullin e Kosovës dhe institucionet; FSK-në, Policinë dhe ekipet që erdhën të parët në momentet e para të tragjedisë, pas tërmetit, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për të shpëtuar jetë dhe për të ndihmuar banorët.

Nuk mund të mos vija në Gjilan, për të mos qenë pranë familjes Abazi,e cila gjithashtu pati një humbje të jashtëzakonshme në këtë tragjedi, duke humbur dy nga njerëzit më të dashur. Kjo dhimbje do të jetë e mundur të tejkalohet dhe fëmijët e tyre do të kenë mundësi të shohin me besim drejt së ardhmes dhe mos të jenë të vetmuar”, tha ndër të tjera Meta.

Ai tutje shtoi se ky tërmet tundi fort mijëra ndërtesa, rrëzoi jo pak, por solidariteti mbarëshqiptar u tregua jashtëzakonisht i fort, një garanci kjo për të kaluar këtë dhimbje që la jo pak pasoja./Indeksonline/