Rritet numri i aborteve, në QKUK
Numri i aborteve në vendin tonë ka shënuar rritje në raport me vitin e kaluar. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në dhjetë mujorin e parë të vitit 2019 ka pasur 54 aborte më shumë se në të njëjtën periudhë 2018, kështu bëri të ditur për Indeksonline Jakup Ismaili, drejt i Klinikës Obstetrike Gjinekologjike.
“Nga janari deri në fund të muajit tetor 2019 janë kryer 165 aborte. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë kryer 111. Mosha mesatare e pacienteve që i nënshtrohen abortit janë 25 deri 28 vjeç”.
Drejtori i KOGJ-së tregon edhe mënyrën se si kryhet një abort në këtë klinikë, ku pacientja duhet t’i nënshtrohet disa procedurave.
“Pacientja paraqitet në KOGJ me analiza të domosdoshme për abort (hemogrami, koha e gjakderdhjes dhe kuagulimi fibrinogjeni dhe grupi e gjakut me rh. faktorin). Duhet të kalojë 48 orë nga vizita e parë që pacientja e ka kuptuar që është shtatzënë”.
Doktor Ismaili tha se janë rastet e rralla kur një paciente është nen moshës 18 vjeçare, në të kundërtën sipas tij ajo duhet të jetë e shoqëruar nga prindërit ose punëtori social.
“Para intervenimit e nënshkruajnë një dokument që janë të vetëdijshme për intervenimin. Intervenimin e kryejmë me dëshirë pa ndonjë presion si dhe për komplikimet e mundshme gjatë dhe pas intervenimit. Krejt këto kryhen derisa shtatzënia është nen 10 javëshe.
Pas javës së 10-të të gjitha pacientet i nënshtrohen komisionit të shkallës së dytë që përbëhet nga 3 gjinekolog punëtori social, psikologu dhe psikiatri. Aborti kryhet vetëm kur ka indikacion absolut nga nënen dhe fëmiun, qoftë anomali te frytit inkopatibile me jetën, qoftë gjendja e nënës, e cila nuk lejon vazhdimin e shtatzënisë. Në asnjë mënyrë nuk kryhet abort me vet dëshirë pas javës së 10 të shtatzënisë”.
Në anën tjetër, Dr. Driton Prenaj, Gjinekolog – Obsteter, ka treguar për Indeksonline se cilat janë shkaktarët dhe ndërlikimet gjatë kryerjes së një aborti.
“Shkaktarët më të shpeshtë janë: anomalitë kromozomale dhe strukturale të embrionit. Anomalitë e traktit riprodhues të nënës (anomalitë e mitrës, pamjaftueshmëria e qafës së mitrës, miomat e mitrës.
Shkaqet endokrine: Diabeti, sëmundjet e gjëndrës tiroide, hiperprolaktinemia, pamjaftueshmëria e trupit të verdhë. Infeksionet bakteriale, virale, parazitare dhe me bartje seksuale. Sëmundjet kronike të nënës: Hipertensioni, sëmundjet renale, trombocitopenit. Substancat abuzive: duhani, alkooli, droga. Faktorët e mjedisit: Pesticidet, kimikatet, radiacioni, medikamentet, trauma”.
Prenaj thotë se në abort ndikojnë edhe faktorët psikologjik, veçmas stresi. Derisa edhe mosha luan një rol në humbjen e shtatzënisë.
“Nga 12% te moshat më të reja se 20 vjeç, në 50%, te moshat mbi 45 vjeçare. Abortet mund te kenë ndërlikimet të cilat mund të jenë: Dëmtim të mitrës e cila mund të ketë për pasoje sterilitetin. Lëndim të mitrës deri në detyrim për largimin e saj. Dëmtim të zorrëve dhe të fshikëzës urinare. Gjakderdhje të madhe e cila shkakton shok hipovolemik. Infeksion i cili mundet të çoj në seps”.
Sipas gjinekologut, nëse këto ndërlikime nuk trajtohen me kohë në institucione të licensuara për aborte, atëherë mund të shkaktojë edhe vdekjen e gruas.
Ndryshe, një numër i madh i aborteve vazhdojnë të kryhen në klinika private, ku nuk ka shifra, derisa nga 1478 ordinanca të licencuara vitin e kaluar në Kosovë, 81 ambulanca specialistike janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë për të ofruar shërbime gjinekologjike. Ndërsa çmimi për një abort është 300 – 400 euro./Indeksonline/