75 Mall Live Search
20:04 / E Enjte, 05 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Prej 1 Janarit Fakulteti Juridik i Universitetit te Prishtinës bëhet pjesë e Asociacionit Evropian të Fakulteteve Juridike

Nga data 1 Janar 2020 Fakulteti Juridik i Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” bëhet pjesë e Asociacionit Evropian të Fakulteteve Juridike (European Law Faculties Associaton-ELFA).

Sot është konfirmuar nga sekretariati i ELFA-s se anëtaresimi i Fakultetit Juridik do të bëhet fuqiplotë nga data 1 Janar 2020. Presidenti i ELFA-s z.Marek Grzybowski i përcjellë mirëseardhjet më të ngrohta për fakultetin.

Me këtë rast falënderojmë Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për mbështetjen e kësaj ndërmarrje që do të krijojë mundësi më të mëdha për fakultetin, profesorët dhe studentët e fakultetit tonë në të ardhmen. Fakulteti Juridik do të përfaqësohet në ELFA nga Dekani i Fakultetit Juridik Prof. Asoc. Dr. Haxhi Gashi.

ELFA është themeluar në vitin 1995 në Leuven të Holandës nga rreth 80 fakultete juridike nga vende të ndryshme, ndërsa tani ka një anëtarësi prej më shumë se 250 anëtarëve.

ELFA luan rolin e një forumi ndërkombëtar për diskutim të çështjeve në fushën e edukimit ligjor si dhe negocion dhe nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me agjencione qeveritare dhe edukative në Evropë dhe më gjerë. Misioni i ELFA-s është që të përfaqësojë dhe të promovojë interesin e anëtarëve të saj në fushën e edukimit dhe hulumtimit ligjor karshi institucioneve të Unionit Evropian, organizatave ndërkombëtare si dhe asociacioneve të profesionistëve në fushën e ligjit.

Anëtarësimi i Fakultetitt Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” hapë rrugë për përshpejtimin e hapjes së lidhjeve me fakultetet e ngjajshme në Evropë dhe me tej e do të krijoj dritare të reja për stafin akademik si dhe studentët e fakultetit që të ngrisin kapacitetet hulumtuese dhe rrjedhimisht ngritjen e performancës së fakultetit në përgjithësi.
Në fund, besojmë se kjo paraqet edhe një vlerë të shtuar për gjithë universitetin duke shtuar kredibilitetin e tij edhe më shumë.