20:59 / E Martë, 10 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Shqiptarët e italianët luftë për kontrollin e zonave të prostitucionit, qëllohet me plumb në kokë 27-vjeçari

Mediat italiane shkruajnë se një “luftë” e ashpër mes shqiptarësh u zhvillua në një autostradë në Frosinone të Italisë dhe si bazë mendohet se është “lufta” për kontrollin e zonave të prostitucionit në këtë zonë.

Mendohet se zënka mes shqiptarëve ka ndodhur në një automjet. Ata fillimisht kanë zhvilluar debat të ashpër, kurse më pas 37-vjeçari me inicialet J.M ka qëlluar bashkëkombësin, një 27-vjeçar, duke e plagosur rëndë atë, pasi plumbi i ka qëlluar në kokë. J.M, autori i ngjarjes mësohet se edhe armën e kishte të vjedhur dhe po ajo pistoletë ishte përdorur në një grabitje të mëhershme.

J.M e ka qëlluar rivalin me plumb në kokë dhe ka menduar se e ka vrarë atë. Ai e ka gjuajtur shqiptarin tjetër në një distancë tepër të afërt, sa në vendngjarje është krijuar një pellg i madh gjaku. Autori u mor më pas nga autoritetet, ku edhe u akuzua për tentativë vrasjeje dhe për armëmbajtje pa leje. Autori J.M u dërgua në burgun e Frosinones.

Menjëherë në vendngjarje mbërriti edhe ambulanca. Për të plagosurin rëndë, u dha ndihma e parë, ku pas një operacioni kirurgjikal, u arrit që plumbi të nxirret nga kafka. Megjithëse mjekët janë përpjekur ta mbajnë të riun në jetë, gjendja e tij paraqitet kritike dhe shanset për të jetuar janë shumë të pakta. Dy shqiptarët e përfshirë në konflikt janë të dy banues në Frosinone dhe që të dy kishin leje qëndrimi të rregullt në shtetin italian.