Lumiri – mjekëve për grevën: Mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas grevave të sindikatë së arsimit dhe shëndetësisë, shkruan Indeksonline.
Ai ju ka drejtuar mjekëve se sot kanë kaluar kufirin.
“Hallegjinjë me sëmundje kanceri, refuzohen për kimioterapi. Në ftohtësinë më të madhe njerëzore, kthehen mbrapshtë si mall. Arsye u thonë është greva. Ec e shpjegoja dikujt që përballet me jetë arsyet e tua për grevë.
Në asnjë vend normal greva nuk prekë rastet e jetës. Sepse greva s’mund të mundë njerëzoren. Është megjithatë një kufi. Sot, të dashtun mjekë, kaluat këtë kufi”, tha ai.
Abdixhiku ka thënë se atyre iu është dhënë një ligj i padrejtë, i rrëzueshëm e tash, që të mund t’i shfrytëzojnë si mjet për të destabilizuar vendin.
“Keni çdo të drejtë të mbani inat; keni të drejtë të protestoni. Ju kanë mashtruar. Kanë luajtur me dinjitetin tuaj për një vit rresht. Ju kanë dhënë një ligj të padrejtë, të rrëzueshëm – e tash, mu atëherë kur u duhet destabilitet, ju përdorin si mjet. Por adresën e mllefit e keni gabim. Më së paku në këtë adresë i gjeni pacientët me kancer; të cilët juve ju shohin si heronj të fundit, e ato barna që i presin me javë rend si shpresë për më shumë jetë. E di këtë punë vet. Kam kaluar nëpër koridoret e tilla me familjarë më shpesh se ç’mund të kisha imagjinuar ndonjëherë”./Indeksonline/