75 Mall Live Search
10:52 / E Mërkurë, 18 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Policia jep detaje për plagosjen e mbrëmshme, në Prishtinë

Policia raporton se dje rreth orës 17:00 në rrugën “Richard Holbrooke”, ka arrestuar një të dyshuar, pasi që ai pas një mosmarrëveshjeje ka plagosur me armë zjarri viktimën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes është gjetur një predhë.

Viktima është duke marrë trajtim mjekësor në QKUK dhe sipas stafit mjekësor gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake është kryer kontrolli-bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku është gjetur arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, një karikator, një gëzhojë e kalibrit 7.65 mm e bllokuar në tytën e armës, 15 (pesëmbëdhjetë) copë fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilat janë konfiskuar.

Me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit dhe ai dërgohet në qendrën e mbajtjes.

Mediat kanë raportuar se i plagosuri është Luan Maloku këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë Fatmir Limaj. Mësohet se plagosja ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve familjare.