75 Mall Live Search
16:37 / E Mërkurë, 18 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Ajri në Prishtinë i rrezikshëm, Ministria e Mjedisit ende nuk e ka ndaluar shitjen e thëngjillit

Cilësia e ajrit në Kosovë është alarmante. Sipas një raporti të Bankës Botërore në shumicën e zonave në Kosovë niveli i grimcave të dëmshme në ajër është dukshëm mbi vlerat udhëzuese të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Madje në zonat urbane vlerat janë më të larta deri në katër herë.

Në Kosovë prej vitesh për cilësinë alarmante të ajrit, sidomos gjatë dimrit, është raportuar bazuar në matjet të cilat janë bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të prezantojë të dhëna të cilat janë shqetësuese.

Megjithatë duket se një gjë e tillë s’po i pëlqen Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët s’kanë arritur të ndalin shitjen dhe përdorimin e thëngjillit në Kosovë, i cili është një prej burimeve kryesore të ndotjes në Kosovës. Nga kjo Ministri deri tani kanë vendosur vetëm disa monitorë që tregojnë se sa i ndotur është ajri.

Në një reagim të lëshuar nga kjo ministri që drejtohet nga Fatmir Matoshi i AKR’së, thuhet se të dhëna zyrtare për cilësinë e ajrit në Kosovë janë vetëm ato që prezantohen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, madje paralajmërojnë edhe masa nga Inspektorati nëse nuk zbatohen kërkesat ligjore të MMPH’së.

Përveç tjerash thuhet se nga kjo ministri kanë përcjellë edhe raportimet në media të cilat për cilësinë e ajrit iu referohen, siç i kanë quajtur nga MMPH, “burime të ndryshme, që nuk janë të autorizuara për të monitoruar cilësinë e ajrit në Kosovë”. /GExpress/

 Në këtë komunikatë për media gjithashtu janë dhënë sqarime se si bazuar në ligjet e vendit, e drejta për matjen e cilësisë së ajrit në Kosovë i takon vetëm Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshe në Kosovës, rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit. Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër. Në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane.