75 Mall Live Search
10:55 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Zyra e BE-së në Kosovë: Nevojitet formim i shpejtë i qeverisë

Kanë mbetur edhe një javë deri në seancën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka caktuar 26 dhjetorin si datë për zhvillimin e seancës nga legjislatura e shtatë.

Përkundër kësaj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur të pajtohen lidhur me arritjen e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Pas gjithë zhvillimeve lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke kërkuar konstituimin sa më të shpejtë të Parlamentit të Kosovës dhe krijimin sa më të shpejtë të qeverisë.

“Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të mbahet me 26 dhjetor. Zgjedhjet e Përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit. Ky është thelbi i procesit demokratik”, thuhet në një njoftim për media.

Përmes një komunikatë të lëshuar për media nga Zyra e BE-së thuhet se është e nevojshme që të themelohen institucionet e reja për shkak të çështjeve ekonomike dhe gjithashtu vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve.

“Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit”, thuhet në njoftimin për media, transmeton Indeksonline.

Tutje janë përmendur edhe reformat që duhet të ndërmerren në fushën e zhvillimit ekonomik si dhe në sundimin e ligjit.

“Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reformat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror si dhe sundimin e ligjit, zbatimin e  Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradit të cilin e lehtëson BE-ja”, vazhdohet tutje nga Zyra e BE-së.

Të njëjtit janë shprehur të bindur se Lëvizja Vetëvendosje si dhe LDK do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të kapërcyer sfidat e mbetura./Indeksonline/