75 Mall Live Search
12:49 / E Enjte, 19 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

VV-ja, protestë në Tiranë kundër vizitës së Vuçiqit, e shpallin person të pa dëshiruar

Vetëvendosje në Shqipëri do të mbajë një protestë nesër nga ora 17:00, e cila do të mbahet te lulitshtja “Qemal Stafa”, përballë Presidencës.

Protestë kjo kundër ardhjes së presidentit serb, Aleksander Vuçiq në kryeqendrën shqiptare, kjo me ftesë të kryeministrit Edi Rama.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se do të mbajë një aksion simbolik, derisa një pankartë e madhe, e Vuçiqit është vendosur edhe në hyrje të hotelit “Rogner”, në Tiranë, ku edhe do të mbahet takimi i tretë rajonal i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përcjell Indeksonline.

Në këtë pankartë shkruhet: “Këtu një kriminel lufte, po vjen të pozojë si bamirës”, ndërsa presidenti serb është shpallur i padëshiruar.

Kujtojmë se takimi në fjalë do të zhvillohet në datat 20-21 dhjetor 2019.  

Ky takim është në vijim të dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi- Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane.

Të premten 20 dhjetor, ora 17.00, kryeministri Edi Rama do të mikpresë liderët e ftuar në një takim jozyrtar në hotelin “Rogner”, Tiranë.

Më pas, në orën 19.00, kryeministri Edi Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik, në eventin e veçantë të bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm!”, dedikuar procesit të rindërtimit, pas tërmetit  të 26 nëntorit.

Të shtunën 21 dhjetor, ora 08.45, të ftuarit do të vizitojnë disa nga zonat e prekura nga tërmeti, në Durrës.

Më pas, në orën 10.00, në hotelin “Rogner” do të zhvillohet “Sesioni i liderëve”. Në orën 12.00 do të vijohet me Seancën plenare me pjesëmarrjen e delegacioneve. Në orën 13.15, të së shtunës, aktivitetet do të përmbyllen me konferencën e përbashkët të shtypit, e cila do të zhvillohet në të njëjtin vend, në hotelin “Rogner”, Tiranë.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim, pasi që Bosnja dhe Serbia nuk e kanë njohur shtetin tonë./Indeksonline.