Turneu memorial për nderë të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës
Në kujtim të dëshmorëve të lirisë së Kosovës: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, që herorikisht ranë më 31 janar 1997, zhvillohet turne në futboll të vogël.
Për pesë ditë, prej 26 deri më 30 dhjetor, do të jenë 8 ekipe të fëmijëve (deri 9 vjeç), 16 ekipe të të rinjve (deri 15 vjeç) dhe 16 ekipe të të rriturve, që do të garojnë në tri kategori: fëmijët (U9), të rinjtë (U15) dhe të rriturit (senior). Për vendet e para të të gjitha kategorive do të ofrohen shpërblime nga organizatori, kurse për kategorinë e seniorëve shpërblehet edhe vendi dytë.
Pjesëmarrja e skuadrave, ashtu sikurse hyrja e shikuesve, është pa pagesë.
Ceremonia e hapjes fillon në ora 18:00 në sallën 1 Tetori, në Prishtinë, ku edhe do të zhvillohen garat për katër ditë (deri më 29 dhjetor). Ndërsa finalet luhen në sallën e Pallatit të Rinisë, po në Prishtinë, më 30 dhjetor.
Ky turne organizohet nga Vlera Sport, dhe mbështetet nga Federata e Futbollit e Kosovës. Aktiviteti ndihmohet edhe nga institucione shtetërore dhe ndërmarrje private.
Në ceremoninë e hapjes, do të ketë edhe program artistik, ku gjithsesi veçohet prezenca e artistit shumë të dashur dhe ikonës së muzikës argëtuese shqipe, këngëtarit Sabri Fejzullahu.
