Gashi e hedh poshtë sondazhin e Vetëvendosjes: LDK’ja nuk i ha këto fore
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje publikoi një sondazh, se si mund të jenë rezultatet nëse shkohet prapë në zgjedhje.
Sipas këtij sondazhi, që nuk i dihet se kush e ka bërë, VV do të jetë e para me 42%, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës e dyta me 21%.
E, deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, është tallur me sondazhin, gjatë një interviste televizive.
Gashi ka thënë në emisionin “A Show”, me Adi Krastën, se në LDK “nuk e hanë atë fore” dhe se LDK është parti që 30 vjet.
‘’Po dërgohen mesazhe të gabuara prej Vetëvendosjes. Mesazhe prej sondazhit. Nuk e hamë atë fore ne, as të presionit, sepse jemi parti 30 vjet, kemi bërë negociata për të gjitha nivelet dhe nuk është një fushë ku munden të shtyhen me neve”.