Isa Mustafa i kundërpërgjigjet Albin Kurtit: VV-ja i shpërfilli rregullat, strategjia e saj dështoi
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Isa Mustafa ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me dështimin për tu arritur marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje për bashkëqeverisje.
Mustafa ka thënë se negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim rënë dakord.
Ai më tutje ka thënë se, të tillë e ka parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të Vetëvendosjes,Albin Kurti. Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.
Ja postimi i plotë:
Të dashur miq,
Qytetarët e Kosovës, më 6 tetor, përmes votës të tyre, na kanë
dhënë besimin për të ndryshuar gjërat për të mirë.
LDK-ja dhe unë, pavarësisht arsyeve të shumta që lidhen me raportet tona me
VV-në në të kaluarën, jemi ulur në tryezë dhe kemi negociuar.
Në këtë proces, jemi kujdesur dhe kemi arritur ta imponojmë njohjen e proceseve
dhe të atributeve të Kosovës shtet i pavarur e sovran, përcaktimin e saj
strategjik euro-atlantik, përfshirë edhe modelin e ekonomisë sociale të tregut,
si përcaktim strategjik dhe zhvillimor të Kosovës.
Negociatat nuk kanë qenë të lehta dhe partneri në tavolinë, Lëvizja
Vetëvendosje, në disa raste, i ka shpërfillur rregullat për të cilat kishim
rënë dakord.
Të tillë e kam parë VV-në edhe sonte me video-mesazhin e Kryetarit të
Vetëvendosjes, z.Albin Kurti.
Për LDK-në dhe për mua, negociatat nuk kanë dështuar.
Ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e
palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së.
Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj
Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha
përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse
aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të
konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të
zgjedhjeve të 6 tetorit.
Mandatin në 6 tetor, për një deputet më shumë se LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje,
e ka marrë për ta larguar PAN-in e jo për ta sfiduar LDK-në.
LDK-ja dhe unë do të vazhdojmë të punojmë për ta bërë ndryshimin e kërkuar nga
qytetarët e Kosovës më 6 tetor. Natyrisht, jo duke shpërfillur përpjekjet për
ta lënë LDK-në fajtore për ambiciet përtej legjitimitetit qytetar të Lëvizjes
Vetëvendosje.
Video-mesazhin e sotëm, Albin Kurti dhe Vetëvendosje, përpara se t’ua drejtonin
qytetarëve, është dashur të na i thonë neve të LDK-së, meqë na konsiderojnë
partnerë.
Gjithsesi, mesazhin e kemi të qartë edhe ne në LDK, por besoj edhe qytetarët e
Kosovës.
Ndryshe nga deklarimet e tyre publike, Vetëvendosja tregoi sonte se është gati
të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të
Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri. Ky nuk është parim, por
tentim për të përfituar më shumë.
Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të
zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të
mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse
Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e
ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë.
Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte
stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore.
Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do
të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet.
E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi
për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja.
Ne jemi gati për negociata.