Turqia, gati ta fusë ushtrinë në Libi: Frikë për një konflikt të gjerë
Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë kërkoi një ditë më parë ndihmë ushtarake nga Turqia në përballjen me forcat e gjeneralit Khalifa Haftar, i cili mbështetet nga Egjipti dhe vendet përreth.
Dhënia e një përgjigjeje pozitive nga ana e Turqisë ka rritur tensionet në rajon pasi kjo do të ndryshonte krejtësisht balancat në Libinë e shkatërruar nga lufta civile që prej rrëzimit të Gadafit.
Më parë presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se Turqia do të parashtrojë propozimligj për dërgimin e ushtarëve në Libi menjëherë pas vazhdimit të punës së Parlamentit si përgjigje të ftesës të vendit.
Erdogani deklaroi se mandati ushtarak për dërgimin e ushtrisë në Libi, do të jetë në rend dite në Parlament më 8 dhe 9 janar.
Ai i kritikoi vendet që e kanë mbështetur liderin ushtarak libian lindor Kalifa Haftar, e jo Fajez al Sarajin.
“Ata e mbështesin luftëtarin, por ne e mbështesim qeverinë legjitime dhe e pranojmë ftesën e tyre të dërgojmë ushtri. Kjo është diçka që na bën të ndryshëm”, tha Erdogani.
Prej disa muajsh forcat e Qeverisë së Tripolit janë nën sulmet e ushtrisë së gjeneralit Haftar, i cili synon marrjen e pushtetit me luftë pasi dy grupimet dështuan në gjetjen e një marrëveshjeje për të qeverisur bashkë.
“Ne do t’i zhdukim islamistët nga Libia”, tha ai pak ditë më parë teksa Turqia paralajmëroi futjen e forcave ushtarake atje.