75 Mall Live Search
13:12 / E Premte, 27 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

FSK-ja nga 2021-a synon misionet paqeruajtëse

Ministria e Mbrojtjes ka arritur t’i realizojë me sukses objektivat e planifikuara për vitin 2019 dhe synim i këtij institucioni mbetet anëtarësimi në NATO. Pjesëtarët e ushtrisë së Kosovës nga viti 2021 synojnë mbështetjen e partnerëve në misionet paqeruajtëse.

Për sukseset dhe aktivitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës sot u fol në një konferencë për fundvit të kësaj ministrie.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha tha se ky institucion ka arritur t’i realizojë objektivat e synuara me sukses, madje ka arritur ta ngris edhe nivelin e besimit të komunitetit jo shumicë.

Ai tha se falë rekrutimeve të fundit kanë arritur që ta ngrisin përqindjen e grave dhe komuniteteve jo shumicë në strukturat e FSK-së.

“Pas rekrutimit të fundit që e kemi pasur kemi arritur që ne ta rrisim përqindjen e komunitetit jo shumicë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kemi arritur ta rrisim përqindjen e gjinisë femërore në strukturën e FSK-së dhe kjo pjesëmarrje është 11 për qind, ndërsa komunitetet jo shumicë deri në 10për qind. Po ashtu Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon edhe më tutje që të jetë institucioni më i besueshëm në vend, por kësaj radhe me një përqindje të besueshmërisë shumë më të lartë edhe kjo përqindje e besueshmërisë është më e theksuar tek komunitetet jo shumicë deri në 12 për qind”, tha Berisha.

Sipas ministrit në detyrë objektiva strategjike e Forcës së Sigurisë është anëtarësimi në NATO.

“Ne e kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha shtetet e rajonit, por në veçanti me shtetet të cilat janë pjesë e NATO-së dhe me ato shtete që synojmë që të anëtarësohen në NATO, ne po ashtu e vlerësojmë dhe jemi të përkushtuar që të punojmë me të gjitha standardet e NATO-së sepse një prej objektivave tona strategjike e kemi anëtarësimin e Forcës së Sigurisë në NATO”, u shpreh Berisha.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama u shpreh se fal bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë dhe angazhimit të pjesëtarëve të FKS-së kanë arritur t’i realizojnë të gjitha objektivat e tyre.

Derisa tha se në FSK shërbejnë 900 djem dhe vajza të reja, Rama u shpreh se do vazhdojnë ta jetësojnë misionin e tyre për mbrojtje dhe të ngrisin kapacitetet e tyre sipas mandatit të ri si ushtri e Kosovës.

Gjenerali Rama tha se janë duke punuar me qëllim që nga viti 2021 pjesëtarët e FKS-së do fillojnë mandatin e tyre paqeruajtës dhe do jenë prezent në të gjitha aktivitete rajonale.

“Një sfidë tjetër, përkushtim apo obligim i joni që jemi në rrugë të mirë të parë në vitin e ardhshëm që nga viti 2021 jemi duke i marrë të gjitha masat dhe parapërgatitjet që pjesëtarët tanë do të përkrah partnerëve tanë që do jenë më mision paqeruajtës për herë të parë edhe si Forcë e Sigurisë së Kosovës, por edhe si Kosovë dhe detyra e aktivitete regjionale në regjionin tonë qofshin ato ushtrime fushore dhe aktivitete ndërshtetërore”, tha ai.

Në këtë vit Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit ka shënuar vitin e parë me misionin dhe mandatin e ri si Ushtri e Kosovës.