75 Mall Live Search
13:57 / E Mërkurë, 01 Janar 2020 / indeksADMonline

Ngjarjet kryesore që i dhanë formë vitit 2019

Për çfarë do të mbahet mend viti 2019? Duke parë në retrospektivë, ky vit sjell ndër mend protesta të shumta në mbarë botën, të cilat sipas shumë gjasave, duket sikur nuk do të ndalen as në vitin e ardhshëm.

Por përpos protestave, viti që lamë pas ka pasur dhe shumë dinamika në politikë, hapa të mëdhenj në fushën e mjekësisë, hulumtimet në hapësirë por edhe ngjarje të tjera të bujshme që do të mbeten gjatë në kujtimet e dëshmitarëve, ku mund të përmendim dhe djegien e Katedrales së Notre Damit apo të pyllit të Amazonës.

Më poshtë, do të gjeni ngjarjet kryesore të vitit 2019.  

3 janar: Kina zbret në anën e errët të Hënës

Kina bëhet shteti i parë në botë që “zbret” në mënyrë të suksesshme një sondë në anën e largët të hënës, të njohur ndryshe edhe si “ana e errët” e Hënës. Sonda do të kryejë kërkime të shumta mineralesh dhe është konsideruar si arritja më e madhe e vendit e kohëve të fundit, çka e sjell Kinën më pranë ambicieve të saj për të qenë një superfuqi botërore dhe konkurrente e denjë e Shteteve te Bashkuara dhe Rusisë.

12 shkurt: Zyrtarisht, Republika e Maqedonisë së Veriut

Firmosja e Marrëveshjes së Prespës midis dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras më 17 qershor 2018 jo vetëm që i dha fund mosmarrëveshjeve ndërmjet dy palëve, por çeli dhe rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.

5 mars: Pacienti i dytë në botë që shërohet nga AIDS

Më shumë se tre muaj pasi iu nënshtrua një transplanti të palcës së kockës falë një donatori imun ndaj HIV-it, në trupin e “Pacientit Londinez” nuk gjenden më gjurmë nga virusi i AIDS. Rasti në fjalë është provë se shkencëtarët një ditë do të arrijnë të zhdukin AIDS, megjithatë kjo nuk do të thotë ende se është gjetur kura e HIV.  

15 prill: Zjarri në Katedralen e Notre Damit

Dhjetëra mijëra shikues në mbarë botën qenë dëshmitarë të zjarrit të madh që mbërtheu Katedralen e Notre Damit të Parisit, mbrëmjen e 15 prillit. E ndërtuar në vitin 1482, katedralja konsiderohej si një nga kryeveprat e artit gotik francez. Pas ngjarjes tragjike, shumë shtete u solidarizuan me Francën duke ofruar ndihma ekonomike, duke mbledhur afërsisht 1 miliard euro, teksa rindërtimi i katedrales pritet të përfundojë në 2024.

24 maj: Fjalimi i dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May

Pas përpjekjeve jo të suksesshme për të bindur ligjvënësit britanik për të rënë dakord mbi “paktin” e arritur ndërmjet May dhe BE-sw për mënyrën sesi Mbretëria e Bashkuar do të largohej nga BE-ja, nëpërmjet një fjalimi tejet të ndjerë, May dha zyrtarisht dorëheqjen nga posti Kryetares së Konservatorëve, duke i hapur rrugën zgjedhjeve për kryeministrin e ri në vend.  

9 qershor: 1.3 milion protestues në Hong-Kong kundër ligjit të ekstradimit

Mbi 1 milion protestues marshuan më 9 qershor në rrugët e Hong-Kongut për të kundërshtuar një ligj ekstradimi i cili do të lejonte ekstradimin e të arrestuarve drejt Kinës, çka ka sjellë pakënaqësi dhe për rritjen e influencës së Kinës në vend dhe shkelje të drejtave të krahinës gjysmë autonome të Hong-Kongut.

Gusht: Zjarret masive në Pyjet e Amazonës

Amazonia, një nga 26 shtetet federale të Brazilit, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në gusht pasi numëronte plot 72,843 vatra aktive zjarri. Shtëllungat e tymit mbulonin një territor me madhësi sa ai i Bashkimit Europian dhe ishin të dukshme prej Hapësirës. Ngjarja tronditi mbarë botën teksa shkencëtarët bënin thirrje për ndërhyrje emergjente pasi “mushkëritë e tokës” ishin në rrezik. Por ishte reagimi i Presidentit të ri brazilian Jair Bolsonaro, një mohues i ndryshimeve klimatike, i cili nuk pranoi ndihmat e emergjencës nga shtetet e tjera si dhe fajësoi organizatat joqeveritare për zjarret në Amazon, ai që ngjalli polemika të shumta.

23 shtator: Greta Thunberg iu kërkon llogari liderëve botëror në Samitin e Kombeve të Bashkuar dhe aktivizimi mjedisor kthehet në global

Fjalimi i Greta Thunberg në Samitin e Kombeve të Bashkuara do të mbahet mend për guximin e saj duke iu drejtuar liderëve botëror “Si guxoni” dhe nën akuzat “se i kanë vjedhur ëndrrat dhe fëmijërinë time me premtimet tuaja boshe”. Greta i referohet një gjenerate të tërë e cila ndihet e kanosur për të ardhmen për shkak të ndryshimeve klimatike si dhe mosveprimit nga ana e liderëve botëror. Ajo çka nisi si një grevë shkollore gjatë të premteve, është shndërruar tashmë në një lëvizje globale e cila bën bashkë të rinj në mbarë botën.

18 tetor: Një ekip femrash zbret për herë të parë në Hapësirë

Astronautet amerikane Christina Koch dhe Jessica Meir hynë në histori si dy gratë e para që shkelin jashtë Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) duke kryer kështu dhe ecjen e parë në Hapësirë. Ato ishin të lidhura me stacionin hapësinor nëpërmjet një kordoni dhe qëndruan në një lartësi rreth 408 kilometra mbi Tokë për mbi 5 orë.

27 tetor: Misioni i forcave amerikane vret kreun e ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi

Presidenti i SHBA Donald Trump, konfirmoi se udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdad, ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni të drejtuar nga forcat amerikane në Siri. Bastisja zgjati dy orë në një kompleks në veri të Sirisë, në të cilën trupat amerikanë përndoqën liderin e Shtetit Islamik në një tunel ku më pas ai shpërtheu veten dhe fëmijët e tij jelekun eksploziv.

2 dhjetor: Miratimi i Komisioni te ri Europian, nën udhëheqjen e Ursula von der Leyen

Eurodeputët miratuan Komisionin e ri Europian nën udhëheqjen e Ursula von der Leyen, gjithashtu gruaja e parë që merr postin e kryetares së Komisionit. Nën premtimin se do të sjellin  “Paktit të Gjelbër Europian” ky komision ka ambicie të forta për sa i përket luftës kundër ndryshimeve klimatike, vazhdimit të bisedimeve të Brexit dhe emigracioni.

19 dhjetor: Dhoma e Përfaqësuesve voton “pro” hapjes së procesit për shkarkimin e Trump

Presidenti i SHBA-së Donald Trump do t’i nënshtrohet procesit të shkarkimit duke u bërë kështu presidenti i tretë në historinë amerikane që do të përballet procesin e “impeachment”. Dhoma e Përfaqësuesve votoi për dy akuzat ndaj tij, abuzim pushteti dhe pengim të hetimit në Kongres.

Fotoja e parë në botë e “Vrimës së Zezë”

Vrimat e Zeza janë objekte ose vende në hapësirë të cilat pasi shembin mbi veten e tyre sjellin një sasi shumë të madhe mase të përqendruar në një zonë shumë të vogël. Graviteti i tyre është aq i fortë sa mund të thithë çdo gjë që vërtitet rreth saj, përfshirë dhe dritën. Kjo arritje e madhe ishte rezultatit i një projekti bashkëpunimi shkencor ndërkombëtar dhe besohet se Vrima e Zezë e vrojtuar është rreth 54 milion vite dritë larg Tokës.