MARRE – Liderët e shtetit heshtin për arrestimin e Nezir Mehmetajt

As edhe një fjalë të vetme nuk e kanë thënë liderët e institucioneve të vendit, me përjashtim Behgjet Pacollin, për arrestimin e kosovarit, Nezir Mehmetaj. Mërgimtari, që jeton në Zvicër, nga Rudinca e Klinës, u arrestua dje nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare.
Ndonëse i shohim vazhdimisht me postime në Facebook, kandidati për kryeministër, Albin Kurti, presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, Vjosa Osmani… nuk kanë reaguar fare për këtë rast, duke mos prishur rehatin e tyre të pushimeve.
Ndryshe, i arrestuari, Neziri ka afro 30 vite që jeton në Zvicër. Ai kishte ardhur në Kosovë për shkak se nëna e tij ishte e sëmurë. Kësisoj, ai kishte nisur për Beograd për t’ia bërë analizat. Mirëpo, kur po kthehej në Kosovë, ishte ndalur në kufi nga doganierët serbë, duke i thënë se gjendet në ‘Stop listë’, shkruan Indeksonline

Mësohet se në veture gjendej nëna e tij dhe një kushëri, derisa këta të fundit u liruan. Nga ana tjetër, Neziri, përmes një sms-i i ka treguar familjes së tij se janë duke e dërguar në Beograd, ndërkaq asgjë tjetër nuk dinë.
Familja Mehmetajt ka apeluar të institucionet e vendit që të ndërmarrin masa që të kuptohet arsyeja e ndalimit të Nezirit. /Indeksonline/