Institucionet, jo transparente me mediat e me shoqërinë civile

Gazetarët, shoqëria civile dhe Avokati i Popullit deklaruan se institucionet publike po vazhdojnë të jenë jo transparente në ofrimin e informacioneve, të cilat kërkohen nga gazetarët.
Marrja e një reagimi për një çështje të caktuar nga institucionet publike në vend po vazhdon të jetë sfidë ku pritja me javë për një përgjigje po e vështirëson punën e gazetarëve në informimin e publikut për çështje të caktuara.
Punën e gazetarëve nuk e ka lehtësuar as Ligji për qasje në dokumente publike, i cili nuk po gjen zbatim. Megjithëqë ligji e parasheh që institucionet duhet t’i përgjigjen kërkesës për qasje në dokumente publike brenda 7 ditëve prej kur parashtrohet kërkesa, shpeshherë nuk ka fare përgjigje nga institucionet. Problematike mbetet edhe fakti që edhe në rastet kur ofrohet qasje në këto dokumente publike nuk jepen të gjitha informacionet e kërkuara. Gazetari i të përditshmes “Koha ditore” Fitim Gashi, thotë për KosovaPressin se institucionet po vazhdojnë të jenë jo transparente, veçanërisht kur kërkohen informacione që kanë të bëjnë me shpenzimet publike. Ai thotë se institucionet më jo transparente vazhdojnë të jenë Presidenca, Qeveria dhe ministritë, për të cilat thotë se ka dërguar shumë pyetje e për të cilat nuk ka marrë përgjigje. Gashi thotë se edhe pse Kosova ka një infrastrukturë të mirë ligjore sa i përket qasjes në dokumente publike, jo çdo herë institucionet ofrojnë këtë qasje ose edhe kur e ofrojnë atë qasje është shumë e mangët, pasi sipas tij nuk e ofrojnë atë informacion që është kërkuar.
Ai thotë se shpeshherë më lehtë ka marrë informacione nga sinjalizuesit sesa nga vet institucionet.Të gjitha institucionet publike në kuadër të departamenteve të tyre kanë edhe zyrën për informim, por që këto zyra sipas gazetarit Gashi nuk u ofrojnë informacionet që i kërkojnë, pasi që shpesh herë ai thotë se nuk kthejnë përgjigje në pyetjet e dërguara.Se gazetarët përballen me vështirësi për marrjen e informacioneve nga institucionet e vendit e thotë edhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina. Ajo deklaroi sesa i përket transparencës së institucioneve karshi mediave gjendja është larg asaj se çfarë do të duhej të ishte.Begolli thotë se pushtetarët janë të gatshëm të japin intervista dhe të flasin për tema të caktuara, por që sipas saj kur kërkohet përgjigje për kontrata me shuma të mëdha ata gjithmonë hezitojnë t’i përgjigjen interesimit të gazetarëve.Ajo thotë se edhe ligji për qasje në dokumente publike nuk po respektohet nga institucionet e vendit, ku përmend faktin se mediat për vite me radhë nuk kishin arritur t’i marrin faturat e shpenzimeve të kryeministrave të vendit.
Një ndihmesë për gazetarët, Begolli thotë se është ligji për sinjalizuesit, i cili po u ndihmon mediave që të nxjerrin në pah keqpërdorime të shumta që fshihen nga institucionet.AGK në muajin prill të këtij viti do të publikojë raportin ku do të bëhen publike të gjitha vështirësitë me të cilat përballen gazetarët.Përveç mediave edhe organizatat e shoqërisë civile deklarojnë se institucionet e vendit vazhdojnë të mos jenë transparente, megjithatë thonë se ka një përmirësim krahasuar me vitet e mëhershme.Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se institucionet vazhdojnë të mos jenë transparente kur kërkohet qasje në tenderë të ndryshëm.Ai thotë se ka raste kur kërkesat e KDI-së për qasje në dokumente publike janë refuzuar, ndërsa potencon se ka pasur raste kur ani pse është lejuar qasja dokumentet e ofruara kanë qenë gjysmake.Ai përmendi tenderin për autostradën “Arbën Xhaferi” ku dosja iu është ofruar vetëm për ta parë por jo edhe fizikisht. Një rast tjetër Spahija përmend kur kanë kërkuar për dy vite me radhë nga Komisioni Qendror Zgjedhor qasje në raportet financiare të pa audituara të subjekteve politike, por që asnjëherë nuk kishin arritur t’i marrin informacionet e kërkuara.Sa i përket rolit të zyrave për media në institucionet publike, Spahija thotë se nga këto zyre mund të marrësh informacione që nuk kanë ndikim politik, ndërsa sipas tij nëse kërkesa ka implikime politike marrja e përgjigjes është shumë e vështirë.Ndërkaq, Artan Demhasaj nga organizata Çohu, thotë se ka përmirësime sa i përket qasjes në dokumente publike, por potencon se ka institucione që vazhdojnë të mos lejojnë qasje në dokumentet që kërkojnë të kenë qasje.Në rastet kur institucionet nuk janë përgjigjur pozitivisht kërkesave të tyre, Demhasaj thotë se i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.E ndonëse zyrat për media në institucionet publike do të duhej të ndihmonin punën e mediave dhe të organizatave për t’iu ofruar qasje në informacionet që kërkojnë, Demhasaj thotë se këto zyre luajnë rolin vetëm të ndërmjetësuesit mes mediave dhe departamenteve në të cilat kërkohet informacioni.
Gazetarët, organizatat e shoqërisë civile, po edhe persona të tjerë, në rastet kur nuk iu lejohet qasja në dokumentet zyrtare i janë drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit.
Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari deklaron për KosovaPress se janë më shumë se 100 ankesa që i janë drejtuar këtij institucioni sa i përket mos lejimit të qasjes në dokumente zyrtare, e në 80 përqind të rasteve ai tha se është vendosur në të mirë të gazetarëve.Ligji për Qasje në Dokumente Publike u garanton të drejtën secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik.