Agim Ademi mban mbledhje urgjente në Katar, shkak zhvillimet e fundit nga Lidhjet Rajonale

Pas zhvillimeve të fundit në lidhjet rajonale, ku disa të pakënaqur nga këto të fundit paralajmëruan ankesë në FFK, kjo e fundit, më saktësisht kreu i saj, Agim Ademi, ka mbledhur krerët e zgjedhur nga lidhjet rajonale.
GazetaBlic mëson ekskluzivisht se kryetarët, Ilaz Mjaku – Regjioni i Ferizajit, Mirsad Çollaku – Regjioni i Prizrenit, Bakir Burri – Regjioni i Pejës dhe Naser Ajeti – Regjioni i Gjilanit janë ftuar nga Agim Ademi dhe Bekim Rexhepi, ish anëtar i Lidhjes Rajonale te Gjilanit, në një mbledhje urgjente në Katar, gjegjësisht në hotelin “The Westin”, aty ku është akomoduar kombëtarja e Kosovës.
I njëjti burim i ka konfirmuar redaksisë sonë se arsyeja duket të jetë ankesa e lidhjeve rajonale të futbollit, e cila pritet të deponohet nesër në zyret e shtëpisë numër një të futbollit kosovar.
Ne edhe më tutje do të vazhdojmë t’iu mbajmë të informuar sa i përket kësaj çështjeje, e cila ka marrë vëmendjen e mediave, sidomos për shkak të zhvillimeve të fundit, ku opozita me në krye Arianit Ahmetin po tenton shkarkimin e Agim Ademit.