Arrestohen drejtuesit e dy portaleve, në Mal të Zi

Policia e Podgoricës ka arrestuar dy redaktorët kryesorë të portaleve nga Mali i Zi, “Borba” dhe “IN4C”, nën dyshimin se kishin kryer veprën penale: “Shkaktim paniku dhe trazirash”.
Ata ngarkohen se dje kanë shkaktuar panik në opinion, duke publikuar lajme të rreme lidhur me ngjarjet në “Vila Gorica”, në Podgoricë, pa i vërtetuar paraprakisht informacionet.
“Vila Gorica”, në Podgoricë, shfrytëzohet për pranimin e mysafirëve të lartë dhe delegacioneve të huaja nga ana e presidentit Millo Gjukanoviq dhe Qeverisë. Pasditen e djeshme në këtë vilë është ndezur një kuti kryqëzimi, por defekti shpejt është rregulluar, përcjell Top Channeli.
Ndryshe, në tekstet e tyre “Borba” dhe “IN4C”, publikuan se në “Vila Gorica”, ka pasur shpërthim dhe se në drejtim të vendngjarjes janë nisur ekipe të zjarrfikësve dhe të policisë.