75 Mall Live Search
11:40 / E Hënë, 13 Janar 2020 / indeksADMonline

Komuna e Prishtinës jep njoftimin zyrtar, lidhur me ndërtimet te Liqeni i Badocit

Projekti për ndërtimin e një lagjeje buzë Liqenit të Badocit ka ngjallur reagime të shumta.

Organizata të ndryshme kanë paralajmëruar forma të ndryshme proteste për të penguar këtë projekt që sipas tyre dëmton ambientin dhe rrezikun ujin në Liqenin e Badocit.

Indeksonline ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për të parë se deri ku kanë arritur procedurat e këtij projekti.

Sipas Komunës së Prishtinës, kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende s’ka aplikuar fare. Sipas komunës, kompania ka aplikuar vetëm për kushte ndërtimore.

“Liqeni i Badocit është pasuri shtetërore në pronësi të Shtetit të Republikës së Kosovës sikurse edhe çdo resurs tjetër ujor. Vendimet për mbrojtjen e liqenit -ujit dhe masat e tjera mbrojtëse i merr niveli qendror – sepse i kanë edhe përgjegjësitë edhe kapacitetet të bëjnë vlerësime të tilla. Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për leje ndërtimore sipas dokumenteve planifikuese që i ka në fuqi, dokumentet kryesore të të cilave janë miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, më 2013.

Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Ajo ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është prej disa vjetësh. Në kushtet e aplikimit i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë.

Më 2015, Komuna e Prishtinës ka propozuar rritjen e teritorrit të Gërmisë nga 900 hektarë në 2000 hektarë dhe ka marrë statusin e peizazhit të mbrojtur sipas ligjeve në fuqi. Një pjesë e peizsazhit është rreth Badocit. Në vitin 2016 në bashkëpunim me Qeverinë e Çekisë kemi arritur që të fillonim trajtimin e ujrave të zeza përreth liqenit. Ujëra të tilla nuk derdhen më në Liqenin e Badocit.

Prishtina ka ujë të pijshëm 24 orë në ditë që nga viti 2017 dhe kjo në asnjë mënyrë nuk bën dhe nuk do të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinë, dhënë për Indeksonlinen.