Vinte nga Serbia, AKU-ja bllokon 4.032 tonë marmelatë, në Han të Hotit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 4.032 tonë marmelatë në pikën kufitare të Hanit të Hotit.
Nga kontrollet e kryera prej Drejtorisë Rajonale të AKU-së – Shkodër në pikën e inspektimit kufitar, Hani i Hotit u konstatua një sasi prej 4.032 tonësh produkt ushqimor Marmelatë (e ambalazhuar në kova plastike 14 kg), e nisur nga Serbia me destinacion Shkodrën, pasi në momentin e hyrjes në vendin tonë ” i kishte mbetur afat përdorimi më pak se gjysma (1/2) e jetëgjatësisë dhe për rrjedhojë nuk plotësonte kërkesat ligjore të parashikuara në pikën 2 të urdhërit Nr.250, të 29.07.2011 “Mbi disa masa për hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të produkteve ushqimore” dhe si e tillë nuk ishte e përshtatshëm për konsum human.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, AKU-ja nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me këtë produkt ushqimor u kthye në vendin e origjinës.
Siguria ushqimore është prioritet i punës sonë dhe për asnjë rast nuk do të ketë tolerim ndaj abuzuesve.
AKU-ja shprehet e gatshme për të mos lejuar asnjë praktikë në dëm të konsumatorëve, duke nxitur zbatimin e ligjit dhe forcimin e masave parandaluese.