11:02 / E Hënë, 20 Janar 2020 / indeksADMonline

Kurti ka afat deri më 4 shkurt për ta bërë Qeverinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i mandatuar për ta formuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, ka 15 ditë kohë për të lidhur koalicionin me subjektet politike në mënyrë që t’i sigurojë votat e mjaftueshme, në të kundërtën humb të drejtën për ta bërë qeverinë.

Data 4 shkurt është e fundit për Kurtin që ai të paraqesë Qeverinë për votim në Kuvend, transmeton IndeksOnline.

Presidenti i Republikës, pas kësaj date mund ta mandatojë dikë tjetër për ta formuar Qeverinë e re.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë ngrirë raportet që nga java e kaluar.

Ndryshe nga herët e kaluara kur dy liderët e dy subjekteve, që kanë dalë të parat në zgjedhje, takoheshin shpesh për të bërë marrëveshje bashkëqeverisëse, tashti komunikimi i tyre po bëhet vetëm me postë.

Akuzat e kundërakuzat e ashpra që po bëjnë zyrtarët e këtyre partive ndaj njëri tjetrit, lënë të kuptohet se marrëveshja VV-LDK është shumë larg./IndeksOnline/