Haradinaj takon zyrtarin e lartë amerikan, Jorgan Andrews

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me zëvendësndihmësin e sekretarit të Shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit z. Jorgan K. Andrews.
Haradinaj përmes një shkrimi të publikuar në faqen zyrtare Facebook, ka njoftur se me Andrews-in kanë biseduar për partneritetin e Kosovës me SHBA-në, në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Theksova se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë fushë.
E falënderova z. Andrews për ndihmën e pakursyer që SHBA-ja ka dhënë dhe po vazhdon të japë në forcimin e institucioneve të vendit dhe kërkova nga ai që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi përgjegjësive të përbashkëta”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka thënë se Kosova ka arritur të ndërtonte institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e tyre, falë edhe partneritetit me SHBA-në dhe sot jemi të gatshëm të qëndrojmë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë!
