Haradinaj, kujton 30 të rënët në fshatrat e Gjakovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 30 dëshmorët që ranë para 21 vjetësh në fshatrat e Gjakovës, saktësisht në Bishtazhin, Goden dhe Rogovë të Hasit.
Haradinaj shkroi se datat 27, 28 e 29 janar të vitit 1999 ishin ditët prej më tragjikeve ku ranë luftëtarët, të cilët kishin marrë rrugë drejt kufirit me Shqipërinë për armatim.
“Në tentativë për të shkuar drejt kufirit e të ktheheshin me armatimin që aq shumë u duhej luftëtarëve të lirisë, do të përjetësohen shumë burra, shumicën e të cilëve kisha rastin t’i njihja nga vijat e frontit”, shkroi Haradinaj.
Ai shtoi se përgjithmonë do të përulet para veprës së tyre dhe gjithmonë do t’i kujtojë emrat e të rënëve: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Vëllezërit Memë e Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli.
“Ato ditë të kobshme, në tentativë për të strehuar e shpëtuar luftëtarët e plagosur u flijuan dhe rogovasit: Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala. Rënia e tyre u bë frymëzim që ne të vazhdonim luftën për liri deri në ditën e ditores”, përfundoi Haradinaj.