Haziri i bindur për koalicion: Po angazhohemi që VV-ja ta udhëheq Qeverinë, ne Kuvendin

Pas takimit të kryesisë së LDK-së, para mediave ka folur nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri.
Ai para mediave ka thënë se po punohet në arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Sot kryetari i LDK-së ka zhvilluar konsultime ditore siç kam thënë dje, ne do të vazhdojmë përpjekjet me takime intensive edhe brenda strukturave edhe me partnerët e koalicionit VV të arrijmë marrëveshje që të hënën i jep Kosovës ekzekutivin e ri me Albin Kurtin kryeministër. Angazhimi është që marrëveshja të jetë balancuar dhe i akomodon të dy subjektet e mëdha politike në mënyrë që të hapet rruga që mandatari të krijojë koalicion edhe me partitë e pakicave që nuk përfshinë Listën Serbe, por pakicat etnike jo-serbe. Angazhimi ynë është që kjo marrëveshje ta ndajë rolin e LDK-së në Kuvend në mënyrë që ekzekutivi dhe kuvendi të koordinohen në hartimin e politikave programore”, tha Haziri.
“Finalizimi i marrëveshjes bie mbi përgjegjësinë e dy partive politike dhe ky angazhim është në funksion të sajë.”, tha Haziri.